Nis puna për stabilizimin e aksit Librazhd-Përrenjas pas rrëshqitjes së tokës

Tiranë, 25 shkurt/ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, dhe drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, Indrit Koleci, bënë të ditur sot se ka nisur puna për stabilizimin e rrëshqitjes së tokës në aksin Librazhd-Përrenjas, veçanërisht në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Ndërhyrja ka filluar në përputhje me planin e masave të miratuara dhe ka për qëllim stabilizimin e segmentit të dëmtuar të rrugës, si dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Strukturat teknike, mjete dhe punëtorë janë angazhuar në terren për të përballuar pasojat e rrëshqitjes dhe për të siguruar rikonstruksionin e shtratit të lumit.
Kozeli informoi se kontraktori ka filluar zbatimin e masave teknike, përfshirë mbulimin e shtratit të lumit dhe demolimin e urës që u dëmtua.
Sipas tij, këto ndërhyrje synojnë të stabilizojnë masën e rrëshqitjes dhe të mundësojnë lehtësimin e rrugës për rikthimin e qarkullimit.
“Puna është intensifikuar, duke angazhuar 7 ekskavatorë dhe 20 kamionë, ndërsa shërbimi gjeologjik ka sjellë ekspertë që po punojnë ngushtë me ARRSH-në për të monitoruar dhe vlerësuar situatën”, tha Kozeli.
Ndërsa Koleci theksoi se aktualisht nuk mund të jepet një afat i saktë për përfundimin e punimeve, pasi janë duke u zhvilluar studime të thelluara në terren për stabilizimin e masës së rrëshqitjes.
Ai sqaroi se janë realizuar studime topografike dhe modelime hidraulike të shtratit të lumit dhe vazhdojnë studimet për pjesën e sipërme të zonës që është prekur.
“Afatet e sakta nuk mund t’i përcaktojmë ende, pasi janë volume të konsiderueshme pune. Por, brenda 3-4 ditësh pritet një vlerësim më i qartë dhe do të informojmë për një afat paraprak për përfundimin e punimeve”, shtoi Koleci.
/a.f/r.e/