E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – BM, Franca dhe 23 vende të tjera deklaratë të përbashkët për përfundimin e luftës në Gazë

LONDËR, 21 korrik /ATSH/ – Një grup prej 25 vendesh, përfshirë Britaninë e Madhe , Francën dhe disa vende të tjera evropiane, publikuan sot një deklaratë të përbashkët që rrit presionin ndaj Izraelit, duke thënë se lufta në Gaza “duhet të përfundojë tani”, sipas AP.

Ministrat e Jashtëm të vendeve si Australia, Kanadaja dhe Japonia thanë se “vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur intensitete të reja”.

Ata dënuan “ndihmën me pikatore me dhe vrasjet çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijët, që përpiqen të plotësojnë nevojat më bazike për ujë dhe ushqim”.

Deklarata e përshkroi si “tronditëse” vdekjen e më shumë se 800 palestinezëve që po kërkonin ndihma, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së.

“Modeli i shpërndarjes së ndihmave nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit pasiguri dhe i mohon dinjitetin njerëzor popullsisë së Gazës”, thuhet në deklaratë.

“Mohimi i ndihmës thelbësore humanitare për popullsinë civile nga ana e qeverisë izraelite është i papranueshëm. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare”, shton  më tej deklarata.

Popullsia e Gazës, prej më shumë se 2 milionë palestinezësh, përballet me një krizë humanitare katastrofike dhe mbështetet pothuajse tërësisht në ndihmën e kufizuar që lejohet të hyjë në territor.

Shumë njerëz janë zhvendosur disa herë gjatë këtij konflikti. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›