FOKUS – BM nën presion nga NATO për të rritur shpenzimet ushtarake

LONDËR, 3 qershor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe është nën presion nga NATO për të rritur shpenzimet, përtej ambicies së vendosur nga kryeministri Keir Starmer.
Starmer është zotuar të shpenzojë 2,5% të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtje nga prilli 2027, me qëllim rritjen e kësaj shume në 3% gjatë parlamentit të ardhshëm – një afat kohor që mund të shtrihet deri në vitin 2034.
Por, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mendohet se po nxit aleatët të zotohen të shpenzojnë 3,5% për ushtrinë me një 1,5% të mëtejshëm për masa që lidhen me mbrojtjen, ndërsa aleanca i përgjigjet veprimeve të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.
Udhëheqësit e aleancës do të takohen në Hagë më vonë këtë muaj me objektivin total të shpenzimeve prej 5% deri në vitin 2035 të vendosur të jetë në tryezë.
Por, zyra e Starmer refuzoi të tërhiqej nga angazhimi i mundshëm për rritjen e shpenzimeve, i cili do të vendoste një barrë të mëtejshme në financat publike deri në mesin e dekadës së ardhshme.
Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha se ”nuk do të hyj në diskutimet që po zhvillohen, në mënyrën e zakonshme, përpara samitit të NATO-s”.
”Britania e Madhe është tashmë shpenzuesi i tretë më i lartë në NATO në terma parash pas Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Ne jemi një nga 22 aleatët e 32 vendeve në NATO që tashmë e tejkalojnë objektivin e NATO-s prej 2% të PBB-së”, shtoi ai./ /os/