E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Baerbock: Paqeruajtësit e OKB-së mund të luajnë një rol domethënës në Ukrainë

BERLIN, 14 shtator /ATSH-DPA/ – Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Annalena Baerbock, tha se forcat paqeruajtëse të OKB-së mund të luajnë një rol në mbështetjen e një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë.

“Nëse arrihet një traktat paqeje, ai duhet të sigurohet sa më mirë që të jetë e mundur”, tha Baerbock për Bild.

“Dhe nëse shumica e shteteve anëtare thonë se për këtë nevojiten edhe helmetat blu, atëherë kjo është diçka që shpresojmë të sigurojë paqe të qëndrueshme”, shtoi ish-ministrja e Jashtme gjermane.

Aleatët e Ukrainës kanë punuar prapa skenave për muaj të tërë mbi planet për të siguruar një fazë të re të mundshme në luftë, e cila mund të shkojë nga një armëpushim në një traktat paqeje.

Megjithatë, përpjekje të tilla do të kërkonin së pari gatishmërinë e Moskës për të hyrë në negociata.

Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022 dhe po kërkon garanci sigurie në rast të një pauze ose përfundimi të armiqësive. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›