FOKUS – Edhe Portugalia në luftë kundër zjarreve

LISBONË, 29 korrik /ATSH-AFP/ – Portugalia po lufton kundër zjarreve, veçanërisht në rajonet veriore dhe qendrore të vendit, të nxitura nga kushtet e pafavorshme të motit, me temperatura të larta dhe erëra të qëndrueshme, sipas Autoritetit të Mbrojtjes Civile.
Gati 2 000 zjarrfikës, të ndihmuar nga 26 burime ajrore, u mobilizuan në të gjithë vendin në mesditën e së martës për të luftuar zjarret në pyje dhe shkurre, kryesisht në veri dhe qendër, sipas përditësimit të fundit nga Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile.
Situata më shqetësuese u përqendrua në një zonë eukaliptesh, pranë komunës së Arouca, duke mobilizuar rreth 600 profesionistë dhe 195 burime tokësore.
“Ky është aktualisht zjarri në të cilin po përqendrojmë të gjitha përpjekjet dhe përforcimet tona”, tha Mario Silvestre, Komandanti Kombëtar i Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, gjatë një konference për shtyp.
“Dy zjarret e tjera të mëdha, në Penamacor dhe Ponte da Barca, në veri të vendit, të cilat mobilizuan katër avionë spanjollë të hënën, janë nën kontroll”, tha ai.
Autoritetet kanë frikë nga një përkeqësim i situatës në ditët në vijim për shkak të nxehtësisë së vazhdueshme dhe po bëjnë thirrje për vigjilencë.
I gjithë vendi ishte në gatishmëri sot për shkak të një rreziku zjarri “maksimal ose shumë të lartë”, sipas parashikimeve nga Instituti Portugez i Detit dhe Atmosferës (IPMA).
Përballë kushteve të përkeqësuara të motit, Portugalia ka vendosur të forcojë burimet zjarrfikëse, veçanërisht në veri dhe qendër të vendit.
Portugalia përballet me zjarre shkatërruese çdo verë.
Ndryshimi i klimës po rrit frekuencën dhe intensitetin e thatësirave dhe zjarreve në të gjithë botën./ /os/