GAZË – Mbi 50 paleta me ushqime të hedhura nga ajri nga shtetet arabe

TEL AVIV, 29 korrik /ATSH-DPA/- Avionët nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hedhur edhe 52 paleta të tjera me ushqim mbi Rripin e Gazës, tha sot ushtria izraelite.
“Avionët egjiptianë gjithashtu ndihmuan në hedhjen nga ajri të ushqimeve – për herë të parë që nga e diela – kur Izraeli lejoi aksesin e ndihmave në territorin e izoluar palestinez pas disa muajsh kufizimesh”, tha ushtria izraelite (IDF).
Ushtria izraelite njoftoi dje se po zbaton pauza “humanitare” të përditshme për të lejuar që ndihma të shpërndahet në mënyrë të sigurt në Rripin e sulmuar – mes paralajmërimeve ndërkombëtare për krizën e urisë.
IDF tha se Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe koordinuan hedhjet nga ajri të ndihmave së bashku me Izraelin.
Organizatat e ndihmës, përfshirë Mjekët pa Kufij, e kanë kritikuar metodën e ofrimit të ndihmave – si joefektive dhe të kushtueshme krahasuar me shpërndarjen e ndihmës me kamionë.
Ata gjithashtu kanë theksuar rrezikun që u paraqitet civilëve në pritje nga hedhja e paletave, të cilat janë të bashkangjitura në parashuta.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se dy avionë ushtarakë ishin duke udhëtuar drejt Jordanisë, nga ku do të fillonin gjithashtu hedhjet e ndihmave nga ajri në Gazë. //a.i/