E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Ekspertët paralajmërojnë për një hendek të rrezikshëm bërthamor në Evropë

BERLIN, 11 shkurt /ATSH-DPA/ – Një grup ekspertësh evropianë të mbrojtjes dhe sigurisë paralajmëroi sot se kontinenti përballet me një hendek të rrezikshëm në mbrojtjen bërthamore, nëse nuk rishikon urgjentisht pozicionin e tij.

Grupi Evropian i Studimeve Bërthamore theksoi se qeveritë duhet të përballen me dy realitete; një ambient bërthamor më kërcënues, i nxitur nga Rusia, dhe dyshime në rritje mbi besueshmërinë afatgjatë të garancive të sigurisë amerikane.

“Evropianët nuk mund të vazhdojnë t’i delegojnë të menduarit mbi mbrojtjen bërthamore tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës . Epoka kur Evropa mund të lejonte komoditet strategjik ka marrë fund”, shkruajnë autorët e raportit.

Raporti, i cili u publikua paralel me Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë javë, shqyrton disa opsione për strategjinë e ardhshme të mbrojtjes bërthamore të Evropës pa varur nga Uashingtoni.

Ato përfshijnë zgjerimin e rolit të forcave bërthamore ekzistuese të Britanisë dhe Francës në mbrojtjen e kontinentit, ose krijimin e një mbrojtjeje bërthamore të përbashkët evropiane.

Opsione të tjera përfshijnë lejen që disa shtete evropiane të zhvillojnë armët e tyre bërthamore të pavarura, ose përqendrimin vetëm te kapacitetet konvencionale shumë më të fuqishme, pa komponent bërthamor.

Autorët theksojnë se, edhe pse kërcënimet bërthamore të Rusisë synojnë kryesisht dobësimin e mbështetjes perëndimore për Ukrainën, “spektri i përdorimit të armëve bërthamore duhet marrë seriozisht”.

Raporti gjithashtu përshkruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentin Donald Trump si një superfuqi gjithnjë e më agresive, me regres demokratik dhe paqëndrueshmëri të thellë të brendshme, e cila shpesh injoron aleatët evropianë duke u tërhequr nga roli tradicional global udhëheqës.

“Pavarësisht përpjekjeve të tyre, evropianët mund ta gjejnë veten në një situatë ku Shtetet e Bashkuara nuk janë më të gatshme të ofrojnë mbrojtje bërthamore”, thuhet në raportin me titull “Kujdes për hendekun e mbrojtjes: vlerësimi i opsioneve bërthamore të Evropës”./   /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›