FOKUS – Franca paralajmëron për intensifikimin e aktiviteteve “armiqësore” nga Rusia në hapësirën ajrore

PARIS, 19 shtator /ATSH/- Zyrtari më i lartë ushtarak i Francës ka paralajmëruar për një intensifikim të aktiviteteve “armiqësore ose jomiqësore” në hapësirën ajrore, veçanërisht nga Rusia, duke u bashkuar me fuqitë perëndimore në thirrjet për rritje të kërcënimeve të sigurisë, sipas Reuters.
Gjeneralmajor Vincent Chus tha se ka pasur një rritje të ndjeshme të aktivitetit armiqësor në hapesirën ajrore – që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Në intervistën e tij të parë me median ndërkombëtare – që nga marrja e Komandës Hapësinore të Francës muajin e kaluar – ai tha se armiqtë, veçanërisht Rusia, kishin metoda të ndryshme për të prishur satelitët me aktivitete të tilla si, lazerët dhe sulmet kibernetike, që janë bërë të zakonshme.
Franca, vendi me buxhetin më të madh të shpenzimeve qeveritare në Evropë për hapësirën ajrore, akuzoi publikisht Moskën në vitin 2018 se po përpiqej të spiunonte komunikimet e saj sekrete – duke u futur fshehurazi në satelitët ushtarakë franko-italianë dhe duke përdorur anije kozmike zbulimi, një vit më parë.
Por, Franca nuk ka dhënë detaje për manovrën e dyshimtë ruse që atëherë.
Kremlini tha se fuqitë perëndimore kanë zhvilluar një luftë masive hibride kundër Rusisë, duke përfshirë propagandën, sulmet kibernetike dhe operacionet e inteligjencës.
Moska tha se kundërshton çdo pajisje ushtarake në hapësirë dhe ka mohuar deklaratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Rusia ka lëshuar armë në orbitën e Tokës – të afta për të sulmuar satelitë të tjerë.
Kina, vendi me shpenzimet e dyta më të mëdha qeveritare në botë për hapësirën pas Amerikës, po zhvillon me shpejtësi armët e saj hapësinore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Britania e Madhe janë ndër vendet e tjera perëndimore që paralajmërojnë publikisht për kërcënimet në rritje ndaj satelitëve, të cilët janë të rëndësishëm për ushtrinë dhe ekonominë.
“Kjo varësi ekonomike dhe ushtarake nga hapësira po kërcënohet gjithnjë e më shumë”, tha Shefi i Komandës Hapësinore të Britanisë së Madhe, Gjeneral Major Paul Tedman, në një fjalim javën e kaluar në Londër. //a.i/