VARSHAVË – Avionë rusë afrohen pranë platformës polake të naftës në Baltik

VARSHAVË, 19 shtator /ATSH -DPA/ – Dy avionë luftarakë rusë iu afruan një platforme polake nafte në Detin Baltik në lartësi të ulët, bëri të ditur sot forca kufitare polake, sipas Ministrisë së Brendshme në Varshavë.
Avionët luftarakë iu afruan platformës së shpimit “Petrobaltic” në një lartësi prej 150 metrash, shkroi një zëdhënëse e ministrisë në X.
“Në këtë mënyrë u shkel zona e sigurisë mbi platformë”, tha forca kufitare në X.
“Forcat e armatosura polake dhe shërbimet e tjera u njoftuan. Kufiri kombëtar nuk u shkel”, tha një zëdhënëse e autoritetit për transmetuesin TVN24.
Platforma e naftës ndodhet në zonën ekonomike polake të Detit Baltik, rreth 70 kilometra në veri të Jastarnia-s.
Incidenti u raportua disa orë pasi Estonia tha se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga Rusia.
Sipas ushtrisë estoneze, tre avionë MIG-31 kishin hyrë sot pa autorizim në hapësirën ajrore pranë ishullit Vaindloo në Detin Baltik dhe kishin qëndruar atje gjithsej dymbëdhjetë minuta. /Ad.Ab./