FOKUS - Franca përgatitet për një tjetër valë protestash, ndërsa jelekëverdhët mobilizohen - ATSH -
PARIS, 6 nëntor /ATSH-AFP/- Lëvizja e jelekëverdhëve në Francë organizon sot protesta të tjera në shkallë kombëtare, duke zgjatur javët e trazirave sociale që kanë nxjerrë në rrugë qindra mijëra demonstrues.
Lëvizja ka bërë thirrje sot për bllokime rrugësh dhe forma të tjera proteste, ndërsa nesër priten demonstrata të mëdha në të gjithë vendin, për të katërtin fundjavë radhazi.
Protestat fillimisht, nisën me demonstrata studentore, ku kërkohej përmirësimi i arsimit, por më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë, ku javët e fundit janë bashkuar qindra mijëra qytetarë.
Ndërkohë, sindikatat organizuan dje demonstrata në mbarë vendin, ku protestuesit kërkuan rritjen e pagave dhe të pagës minimale.
Në përpjekje për të ulur tensionet, qeveria franceze ka sinjalizuar se po planifikon të rrisë pagën minimale dhe ka premtuar më shumë personel dhe fonde për shkollat.
Ajo njoftoi gjithashtu, se do të nxjerrë në treg karburant nga rezervat kombëtare, me synimin për të ulur çmimet në pikat e furnizimit për drejtuesit e automjeteve gjatë një periudhe tremujore.
Lëvizja e jelekëverdhëve nuk ka një organizim të qartë qendror, çka e bën të vështirë për qeverinë zhvillimin e negociatave të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e saj.
Lëvizja u bë e njohur fillimisht në vitin 2018, përmes protestave kundër rritjes së taksave mbi karburantet, të cilat më pas u zgjeruan në demonstrata mbarëkombëtare kundër pabarazisë ekonomike. //a.i/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
