E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Hamasi pranon disa elementë të planit të paqes të Trump për Gazën

GAZË, 3 tetor /ATSH/- Hamasi ka rënë dakord të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, por njoftoi se dëshiron negociata të mëtejshme mbi një numër pikash kyçe të përcaktuara në planin e paqes të SHBA-së, sipas BBC.

Në një deklaratë, Hamasi tha se kishte rënë dakord të lironte të gjithë të burgosurit izraelitë, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump – nëse plotësoheshin kushtet në terren për shkëmbimet.

Por, duket se Hamasi po kërkon negociata të mëtejshme mbi çështje të tjera – në lidhje me të ardhmen e Rripit të Gazës dhe të drejtat e popullit palestinez, duke thënë se këto pika ishin ende duke u diskutuar.

Njoftimi erdhi disa orë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump i dha Hamasit një afat kohor deri të dielën – për të pranuar planin e paqes së SHBA-së për Gazën ose në të kundërt do të përballej me “ferrin”.

Deklarata e Hamasit nuk përmend ose pranon konkretisht planin prej 20-pikësh të Trump, por thotë se rinovon marrëveshjen e saj për t’ia dorëzuar drejtimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të pavarur, bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe mbështetjen arabe dhe islamike.

Megjithatë, deklarata nuk përmend asnjë nga kërkesat kryesore të planit – që Hamasi të bjerë dakord për çarmatimin e tij dhe të mos luajë më asnjë rol në qeverisjen e Gazës.

Pyetja kryesore është nëse marrëveshja për lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e Gazës do të ishte e mjaftueshme që Donald Trump të besonte se ekziston një perspektivë për t’i dhënë fund luftës.

Plani i paqes propozon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve të gjallë izraelitë të mbajtur nga Hamasi – si dhe trupat e pengjeve që mendohet të jenë të vdekur – në këmbim të qindra banorëve të Gazës të arrestuar.

Besohet se 48 pengje mbahen ende në territorin palestinez nga grupi i armatosur, dhe vetëm 20 prej tyre mendohet të jenë gjallë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›