LONDËR – Stuhia “Amy” godet Irlandën, mijëra banesa pa energji elektrike

LONDËR, 3 tetor /ATSH-DPA/- Një person është plagosur rëndë dhe rreth 234 000 banesa dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike në Irlandë, pasi “stuhia Amy” goditi vendin me erëra të fuqishme dhe reshje të dendura shiu.
Autoritetet paralajmëruan për pemë të rrëzuara, përmbytje dhe dëmtime në rrjetin elektrik, ndërsa shumë shkolla dhe linja transporti u mbyllën për arsye sigurie.
Në qarkun Donegal, ku është regjistruar niveli më i lartë i alarmit për erëra të fuqishme, banorëve iu kërkua të qëndrojnë në shtëpi. Policia tha se një burrë në Letterkenny është plagosur rëndë në një incident të lidhur me motin.
Kompania “ESB” raportoi se pjesa më e madhe e ndërprerjeve të energjisë janë në Galway, Mayo, Sligo, Leitrim, Cavan dhe Donegal dhe paralajmëroi se rikthimi i energjisë mund të zgjasë deri nesër.
Edhe në Irlandën e Veriut stuhia shkaktoi dëme të mëdha, duke lënë rreth 50 000 banesa pa energji.
Kompania “NIE Networks” tha se është hapur qendra e menaxhimit të emergjencave në Craigavon, ndërsa janë mobilizuar ekipe shtesë për riparime.
“Met Office” paralajmëroi për rrezik për jetën nga mbeturinat që fluturojnë, dëmtime të ndërtesave dhe dallgë të mëdha bregdetare, ndërsa udhëtarët u këshilluan të shmangin lëvizjet e panevojshme.
U raportuan gjithashtu anullime fluturimesh dhe mbyllje rrugësh për shkak të pemëve të rrëzuara. /Ad.Ab./