FOKUS – Hungaria ndërmerr veprime ligjore kundër BE-së për ndalimin e importeve të gazit rus

BUDAPEST, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Hungaria ka ngritur një padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) kundër vendimit të Bashkimit Evropian për të ndaluar importet e gazit natyror nga Rusia, tha sot ministri i Jashtëm, Péter Szijjártó.
Njoftimi i Szijjártó në X, erdhi pas publikimit të rregullores për heqjen graduale të gazit rus në bazën e të dhënave ligjore të BE-së.
Sllovakia ka njoftuar gjithashtu se do të ngrejë një padi në gjykatën me seli në Luksemburg.
Szijjártó argumentoi në postimin e tij se traktatet e BE-së përcaktonin qartë se çdo shtet anëtar vendoste për zgjedhjen e burimeve dhe furnizuesve të energjisë.
“Për më tepër, parimi i solidaritetit energjetik kërkon sigurinë e furnizimit me energji për të gjitha shtetet anëtare”, shkroi ai.
“Vendimi e shkel qartë këtë parim në rastin e Hungarisë, meqenëse vetëm alternativa më të shtrenjta dhe më pak të besueshme të energjisë janë të disponueshme pa importet ruse”, tha Szijjártó.
Rregullorja, e cila u miratua nga shumica e anëtarëve të BE-së, përcakton që importet e gazit natyror nga Rusia duhet të ndërpriten deri në fund të vitit 2027.
Duke pasur parasysh pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Kremlini, BE dëshiron të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë nga eksportet e energjisë dhe lëndëve të para.
Hungaria është shumë e varur nga gazi rus. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, vendi nuk ka bërë përpjekje serioze për t’u çliruar nga kjo varësi.
Kryeministri i saj populist i krahut të djathtë, Viktor Orbán, konsiderohet gjerësisht si aleati më i ngushtë i Kremlinit në BE. /a.i/