E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Infantino propozon heqjen e pezullimit të ekipeve ruse nga kompeticionet ndërkombëtare të futbollit

PARIS, 3 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar heqjen e pezullimit të Rusisë dhe klubeve të saj nga kompeticionet ndërkombëtare, gjatë një interviste për “Sky News”, duke mbrojtur gjithashtu vendimin e tij për t’i dhënë Donald Trump një Çmim për Paqen.

Pyetjes nëse Rusia duhet të rikthehet në komunitetin ndërkombëtar të futbollit, Infantino iu përgjigj “po”.

“Duhet ta konsiderojmë, kjo është e sigurt”, tha ai.

Rusia dhe klubet e saj janë pezulluar nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022.

Megjithëse konflikti vazhdon, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ka rekomanduar kohët e fundit që federatat sportive t’u lejojnë ekipeve ruse të marrin pjesë në garat për moshat e reja joprofesioniste.

“Ky përjashtim nuk ka sjellë asgjë, vetëm ka shkaktuar më shumë frustrim dhe urrejtje”, argumentoi Infantino, duke shtuar se “fakti që vajzat dhe djemtë rusë mund të luajnë futboll në vende të tjera të Evropës do të ishte një gjë e mirë”.

Ai shtoi se FIFA duhet të shqyrtojë ndryshimin e rregullave të saj në mënyrë që asnjë vend të mos mund të përjashtohet nga kompeticionet.

“Në të vërtetë, ne nuk duhet kurrë t’i ndalojmë një vendi të luajë futboll për shkak të veprimeve të udhëheqësve politikë. Unë jam kundër ndalimeve, jam gjithashtu kundër bojkotimeve. Mendoj se ato nuk sjellin asgjë, vetëm kontribuojnë në më shumë urrejtje”, theksoi Infantino.

Kremlini përshëndeti sot thirrjen e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino për heqjen e pezullimit të Rusisë nga kompeticionet ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër, Kievi i cilësoi komentet e tij si të pakujdesshme, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›