E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Irani dhe evropianët kërkojnë vazhdimin e bisedimeve për programin bërthamor

TEHERAN, 22 gusht /ATSH-DPA/- Qeveria në Teheran kërkon të vazhdojë bisedimet me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe javën e ardhshme – në mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit.

Një takim në nivelin e zëvendësministrave të Jashtëm është planifikuar për të martën, sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Jashtme iraniane.

Para kësaj, ministrat e Jashtëm të të ashtuquajturave vende E3 dhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas biseduan me homologun e tyre iranian në telefon.

Pak më shumë se një muaj më parë, përfaqësuesit e qeverisë nga E3 dhe Irani u takuan në Stamboll për të diskutuar mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit.

Qëllimi ishte të rritej presioni diplomatik mbi Republikën Islamike.

Ky ishte raundi i parë i negociatave që nga lufta 12-ditore që Izraeli zhvilloi kundër Iranit në qershor.

Në mënyrë specifike, evropianët e kërcënuan Iranin me rivendosjen e sanksioneve të vjetra dhe të ashpra të OKB-së nëse nuk gjendej zgjidhje për mosmarrëveshjen bërthamore deri në fund të gushtit.

Si bashkënënshkrues të marrëveshjes bërthamore të Vjenës të vitit 2015, E3 mund të aktivizojë të ashtuquajturin mekanizëm rikthimi, i cili parashikon rivendosjen e sanksioneve të ashpra të OKB-së.

Para luftës në qershor, Uashingtoni dhe Teherani kishin negociuar për gati dy muaj mbi programin bërthamor – pa një përparim.

Raundi i gjashtë i bisedimeve nuk u zhvillua pasi Izraeli filloi luftën dy ditë më parë.

Së bashku me SHBA-në, Izraeli bombardoi objektet kryesore bërthamore.

Si rezultat, mosbesimi i udhëheqjes iraniane ndaj Perëndimit arriti një kulm të ri.

Izraeli, SHBA-ja dhe vendet evropiane kanë frikë se Republika Islamike po kërkon të ndërtojë armë bërthamore.

Teherani e ka hedhur poshtë këtë pretendim. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›