E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Territoriale, Mazniku: Me arritjet e 2014-ës, drejt bashkive europiane për Shqipërinë 2030

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Komisioni i posaçëm për reformën administrativo-territoriale  zhvilloi sot në qarkun e Kukësit dëgjesën e 9-të publike, në kuadër të një procesi i cili po zhvillohet me disa faza, nga dëgjesat e hapura publike, dëgjesat në Kuvend dhe dëgjesat tematike që do të nisin së shpejti.

Nga Kukësi, bashkëkryetari Arbjan Mazniku u ndal tek ajo çfarë ka përfituar pushteti lokal në nivel kombëtar nga reforma e vitit 2014, të cilën e konsideroi një nga reformat më të rëndësishme që ka bërë vendi, me tregues të qartë pozitivë, duke theksuar se tani është momenti për ta ngritur në një nivel tjetër këtë reformë, me më shumë cilësi shërbimesh ndaj qytetarit dhe bashki europiane të denja dhe eficiente për Shqipërinë 2030.

“Kemi bërë një reformë shumë të rëndësishme, e cila nga çdo e dhënë na tregon se ka qenë shumë efikase, më shumë shërbime, staf më të mirë dhe mbulim më të gjerë funksionesh. Shumë funksione që më parë nuk i kishin, iu deleguan bashkive, por edhe pse shumë gjëra janë bërë mirë, sot jemi para një momenti për të parë cilat janë mekanizmat që mund t’i bëjnë bashkitë të funksionojnë më mirë”, u shpreh Mazniku, në dëgjesën në qarkun e Kukësit.

Mazniku vendosi theksin te rëndësia që merr forcimi i pushtetit vendor në prag të avancimit të procesit të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe aksesimit të fondeve europiane për zhvillimin e territorit.

“Javën e kaluar patëm një moment shumë të rëndësishëm, çeljen e fazës përmbyllëse të kapitujve, ku me shumë gjasa do të arrijmë që brenda vitit 2027 të mbyllim negociatat e anëtarësimit, proces që me shumë gjasa na bën një vend anëtar brenda vitit 2030. Një nga zhvillimet më të rëndësishme për ne është se do të kemi akses në një sërë programesh të Bashkimit Europian, të cilat i dedikohen pushtetit vendor, duke nisur nga një program shumë i rëndësishëm, programi i kohezionit social dhe fondet strukturore, ku bashkitë do të kenë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga fondet që jepen për zhvillimin e territorit.
Ndaj për atë moment, ne na duhet të kemi bashki të forta, bashki që janë të afta të shkruajnë projekte, t’i projektojnë dhe t’i zbatojnë ato. Ndaj pyetja thelbësore është: si t’i bëjmë bashkitë tona që të arrijnë të tërheqin financime nga Europa për zhvillimin e territorit të tyre? Kjo është një nga sfidat që duhet ta diskutojmë së bashku, si i bëhet më mirë bashkisë sonë, qytetit tonë dhe territorit tonë.

Ky është thelbi i debatit që duam të bëjmë, që të mund të kemi një reformë të shëndetshme për 30-40 vitet e ardhshme”, tha në fjalën e tij hapëse bashkëkryetari socialist i kësaj reforme.

Më tej, ai u ndal edhe te një analizë mbi sfidat kryesore me të cilat përballet sot pushteti vendor, duke theksuar se reforma territoriale duhet të përshtatet me realitetin e ri demografik dhe nevojën për zhvillim më të balancuar të territorit.

“Ne sot kemi një situatë të re demografike dhe duhet parë si do të strukturohen bashkitë për t’iu përgjigjur këtij ndryshimi. Sfida tjetër lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm. Ekonomia është përmirësuar dhe infrastruktura po ashtu, por ende nuk kemi zhvillim të njëtrajtshëm. Si mund të krijojmë më shumë hapësira për zhvillim më të drejtë dhe më të barabartë?

“Duhet të gjejmë edhe ekuilibrin mes identitetit të një zone dhe mundësisë që ajo zonë të ketë kapacitete financiare dhe njerëzore për t’u ofruar shërbime qytetarëve të saj. Të gjitha këto na çojnë në përfundimin se kjo është një nga reformat më të mëdha dhe më të rëndësishme”, u shpreh Mazniku.

Ndërsa, z. Boçi theksoi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të saj dhe se shpopullimi i zonave veriore është prova më e qartë e këtij dështimi. Ai kundërshtoi qasjen e Partisë Socialiste për uljen e numrit të bashkive dhe krijimin e njësive më të mëdha administrative, duke deklaruar se Partia Demokratike niset nga qytetari dhe jo nga harta.

Komisioni e zhvilloi dëgjesën në tri shtylla kryesore.

Shtylla e parë që u diskutua, lidhej me funksionet, shërbimet dhe kompetencat e pushtetit vendor. Diskutimet u përqëndruan në rishikimin e shërbimeve që Bashkitë u ofrojnë qytetarëve, duke synuar një ndarje më të qartë të përgjegjësive mes pushtetit qendror dhe atij lokal.

Shtylla e dytë, territori dhe qeverisja, ku u analizua ndarja aktuale dhe nevoja për një organizim të ri të njësive vendore që garanton efikasitet administrativ.

Shtylla e tretë dhe e fundit, trajtoi sfidat e financimit, duke u fokusuar te rritja e autonomisë financiare dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm vendor.

Pas përfundimit të diskutimeve tematike, dëgjesa vazhdoi në fazën e raundit të plotësimeve, ku iu dha mundësia pjesëmarrësve të shprehnin mendimet e tyre, komente specifike dhe sugjerime teknike.

Në vijim, procesi kaloi në etapën vendimtare të prioritizimit të çështjeve dhe më pas dëgjesa u përmbyll me një pasqyrë të hapave të radhës.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›