FOKUS – Ish-kryeministri i Norvegjisë hetohet pas publikimeve të skandalit Epstein

STOKHOLM, 6 shkurt /ATSH-DPA/ – Ish-kryeministri i Norvegjisë dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, po hetohet pas publikimeve të fundit në lidhje me Jeffrey Epstein.
“Ish kryeministri dyshohet për korrupsion të rëndë”, raportoi agjencia norvegjeze e lajmeve NTB .
“Besojmë se ekzistojnë baza të mjaftueshme për një hetim”, tha kreu i Autoritetit Norvegjez për Krimet Ekonomike, Pal Lonseth.
Hetimi ka për qëllim të sqarojë nëse Jagland ka pranuar dhurata, udhëtime apo kredi gjatë kohës kur shërbente si sekretar i përgjithshëm.
NTB-ja raportoi se informacioni nga dosjet e Epstein sugjeronte se ai e kishte bërë këtë.
Dokumentet tregojnë se Jagland kishte pasur kontakte me biznesmenin amerikan në disa raste midis viteve 2016 dhe 2018, kohë kur ai ishte njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe anëtar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, ku ka qenë kryetar nga 2009 deri në 2015.
Mediet norvegjeze raportuan se Epstein dhe Jagland thuhet se kishin diskutuar mbi blerje prone.
Jagland kishte planifikuar gjithashtu një pushim me familjen në ishullin e Epstein, por kjo nuk u realizua.
Si ish-sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland gëzon imunitet nga ndjekja penale.
“Është e rëndësishme që ky rast të sqarohet”, tha ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, sipas NTB-së.
“Prandaj kam vendosur që Norvegjia të paraqesë një propozim për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për të hequr imunitetin e Jagland”, shtoi ai.
Zbulimet e fundit për Epstein kanë vënë në qendër të vëmendjes edhe disa norvegjezë të tjerë përveç Jagland.
Princesha norvegjeze Mette-Marit, për shembull, ka qenë nën presion të madh që nga publikimi i fundit i dokumenteve një javë më parë.
Thuhet se ajo kishte shkëmbyer disa emaile private me Epstein./ /Ad.Ab./ a.jor.