FOKUS – Italia dhe Shqipëria zhvillojnë stërvitje të avancuar ushtarake në bazën e NATO-s, Kuçovë

KUÇOVË, 17 qershor /ATSH/ – Bashkëpunimi ushtarak mes Italisë dhe Shqipërisë hedh një tjetër hap përpara në fushën e operacioneve me intensitet të lartë, përmes një demonstrimi të kapaciteteve Combat Search and Rescue (Combat SAR), i zhvilluar nga Forcat Ajrore Italiane në bazën e NATO-s në Kuçovë, një infrastrukturë strategjike e Aleancës Atlantike në Ballkanin Perëndimor, shkruan italpress.com.
Lajmi u bë i ditur në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Forcave Ajrore Italiane, ku theksohet se aktiviteti u zhvillua më 10 qershor në kuadër të Planit të Bashkëpunimit Dypalësh mes Romës dhe Tiranës.
Në stërvitje u përdorën dy helikopterë HH-101A Caesar të Fluturimit të 9-të të Grazzanise, me detyrë rikuperimin e personelit (Personnel Recovery), si dhe dy avionë luftarakë F-2000 të Fluturimit të 36-të të Gioia del Colle, të ngarkuar me rolin e Rescue Escort, pra mbrojtjen e armatosur të misioneve për shpëtimin e personelit të izoluar në mjedise armiqësore.
Forca Ajrore Shqiptare siguroi mbështetjen logjistike dhe infrastrukturore përmes bazës së Kuçovës, ndërsa Qendra e Kontrollit dhe Raportimit (QKR) garantoi koordinimin dhe monitorimin e operacioneve.
Në një deklaratë zyrtare, Forcat Ajrore Italiane theksuan se aktiviteti “përfaqësoi një mundësi konkrete bashkëpunimi mes vendeve aleate”, duke mundësuar shkëmbimin e procedurave dhe përvojave operacionale me qëllim rritjen e “nivelit të standardizimit dhe bashkëpunimit në planifikimin dhe zbatimin e operacioneve komplekse”.
Nisma konfirmon gjithashtu “vëmendjen e Italisë ndaj një zone me interes strategjik parësor, siç është Ballkani Perëndimor”, si dhe rëndësinë që i kushtohet partneritetit me Shqipërinë, e cila konsiderohet një bashkëbiseduese thelbësore për stabilitetin rajonal. /os/