FOKUS – Izraeli kryen sulme të reja në Liban, pavarësisht kritikave të Trump

TEL AVIV, 17 qershor /ATSH/- Forcat izraelite kanë kryer sulme të reja në Libanin jugor, sipas medieve shtetërore libaneze, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar kritikat ndaj veprimeve të Izraelit në këtë vend, raportoi BBC.
Avionët luftarakë izraelitë goditën sot zonën Nabatieh al-Fawqa dhe periferinë e Kfar Tebnit, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).
Ushtria izraelite nuk ka komentuar menjëherë, por më herët deklaroi se, synon grupin e armatosur Hezbollah, të mbështetur nga Irani.
Ndërkohë, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Irani, për përfundimin e konfliktit ende nuk është bërë publike, por ndërmjetësuesi, Pakistani ka bërë të ditur se ajo përfshin edhe Libanin.
Tensionet u rritën dje, kur Trump deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të tregojë “më shumë përgjegjësi ndaj Libanit”.
Duke folur në samitin e G7-tës në Francë, ai tha se luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut po zgjasin shumë dhe po shkaktojnë viktima të shumta.
Sulmet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vijuar, që nga njoftimi i marrëveshjes SHBA–Iran të dielën në mbrëmje.
Më herët, një sulm ajror izraelit në Bejrut, në përgjigje të një sulmi me raketa nga Hezbollahu, ka rritur presionin mbi përpjekjet për finalizimin e marrëveshjes.
Trump deklaroi se ruan marrëdhënie të mira me Netanyahun, por kritikoi sulmin e fundit izraelit, duke e quajtur atë “të tepruar”. Ai shtoi se pa SHBA-në “nuk do të kishte Izrael”.
Nga ana e tij, Netanyahu deklaroi të hënën se forcat izraelite do të qëndronin në Liban “për aq kohë sa të ishte e nevojshme”.
Irani ka paralajmëruar se, çdo sulm izraelit në Liban ose prani e vazhdueshme ushtarake izraelite në territorin libanez, do të konsiderohet shkelje e marrëveshjes së përkohshme me SHBA-në.
Detajet e marrëveshjes ende nuk janë publikuar zyrtarisht, ndërsa pritet që ajo të nënshkruhet të premten në resortin zviceran, Bürgenstock.
Trump tha se marrëveshja do të bëhet publike në një konferencë për shtyp dhe se Irani “nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.
Ai gjithashtu pretendon se marrëveshja do të rihapë kalimin strategjik të Hormuzit pa tarifa.
Marrëveshja e re, sipas Trump, është më e favorshme se ajo e vitit 2015 – e negociuar nga Barack Obama, e cila i kishte ofruar Iranit, lehtësime sanksionesh në këmbim të kufizimit të programit bërthamor dhe inspektimeve ndërkombëtare. //a.i/