FOKUS – Kievi: BM, Franca, Gjermania dhe Turqia gati të dërgojnë trupa në Ukrainë pas luftës

KIEV, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Katër vende evropiane, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Turqia janë gati të dërgojnë trupa në Ukrainë pasi të mbarojë lufta, sipas Mykhailo Podolyak, këshilltarit kryesor të presidentit, Volodymyr Zelensky, në një intervistë me Novyny.LIVE.
Sipas tij, “partnerët duhet të përfshihen në parandalimin kundër Rusisë dhe në dërgimin e trupave paqeruajtëse. Ukraina nuk ka ndërmend ta mbajë këtë barrë vetëm.
Franca, Turqia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar tashmë kanë qenë të gatshëm për dërgimin e trupave. Vende të tjera ende po e vlerësojnë çështjen”, deklaroi Podolyak.
“Ekziston pyetja se kush do ta financojë të gjithë këtë. Kush do të jetë atje për të integruar gjithçka në një sistem të vetëm dhe kush do të moderojë proceset e pengimit kundër Rusisë? Atëherë bëhet e qartë se përfaqësuesit e vendeve të tjera të interesuara duhet të jenë të pranishëm”, tha ai.
Dhe, sipas Podolyak, secili prej këtyre vendeve ka interesat e veta për të mbrojtur.
“Turqia, për shembull, dëshiron të parandalojë një skenar në të cilin regjimi rus krijon probleme sigurie, ekonomike dhe tregtare në pellgun e Detit të Zi. Në përgjithësi, kjo luftë do të çojë në një riorganizim të plotë të hapësirës evropiane. Ukraina do t’i afrohet Evropës sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe Evropa do të rimendojë mënyrën e saj aktuale të jetesës. Do të bëhet më e kursyer, më e militarizuar dhe më antiruse”, parashikoi këshilltari presidencial./ /os/