KORE E JUGUT – 10 vite burg për ish-presidentin Yoon Suk Yeol

SEUL, 26 dhjetor /ATSH/- Prokurori Special ka kërkuar një dënim me 10 vjet burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol pas përpjekjes së tij të dështuar për të shpallur ligjin e luftës në vitin 2024, sipas “Reuters”.
Avokatët e ish-presidentit e kanë quajtur dënimin me 10 vjet burg “të tepruar”.
Yoon Suk-yeol përballet gjithashtu me akuza të tjera të rënda, duke përfshirë korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe rebelimin, një krim i dënueshëm me burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje në Korenë e Jugut.
Shpallja e ligjit të luftës nga Yoon nxori trupa të armatosura në rrugët e Seulit, duke shkaktuar krizën më të keqe politike ndër dekada.
Masa zgjati vetëm disa orë, pasi ligjvënësit arritën të hynin në Parlament dhe votuan për ta shfuqizuar atë.
Në dhjetor 2024, Yoon u shkarkua nga Parlamenti, dhe në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e shkarkoi zyrtarisht nga detyra.
Sipas prokurorisë, pas shkarkimit të tij, ish-presidenti u mbyll në rezidencën e tij për javë të tëra, duke penguar ekzekutimin e urdhrit të arrestit.
Prokurorët e përshkruan veprimin e tij si një pengesë të paprecedentë të drejtësisë.
Yoon akuzohet gjithashtu për mospjesëmarrje në një mbledhje të plotë të kabinetit, siç kërkohet me ligj, përpara se të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe për falsifikim dokumentesh dhe urdhërim për fshirjen e të dhënave nga telefonat e personave të përfshirë.
Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim mobilizimin e opinionit publik kundër opozitës liberale, të cilën ai e akuzon për bllokimin e qeverisë së tij.
Ndërkohë, hetimet thonë se Yoon kishte planifikuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për më shumë se një vit, me qëllim eliminimin e rivalëve politikë. //a.i/