E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Kuba konfirmon bisedimet me SHBA-në për lehtësimin e tensioneve

UASHINGTON, 13 mars /ATSH-DPA/- Kuba ka konfirmuar sot se ka zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me synimin për të ulur tensionet mes dy vendeve.

Presidenti kuban, Miguel Díaz‑Canel, u tha gazetarëve në Havanë se përfaqësues të Kubës janë takuar së fundmi me zyrtarë të qeverisë amerikane për të kërkuar një zgjidhje të mundshme për mosmarrëveshjet dypalëshe që ekzistojnë mes dy vendeve.

Sipas tij, shkëmbimet janë lehtësuar nga aktorë ndërkombëtarë.

Më herët, gjatë një mbledhjeje të Byrosë Politike të Partisë Komuniste, Díaz-Canel tha se diskutimet synojnë identifikimin e problemeve mes dy vendeve, gjetjen e zgjidhjeve dhe shqyrtimin e fushave të mundshme të bashkëpunimit.

Presidenti kuban shtoi se Havana ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar këtë proces mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë, duke përfshirë respektimin e sistemeve politike, sovranitetit dhe vetëvendosjes së secilit shtet.

Nën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, Uashingtoni ka rritur presionin ekonomik ndaj Kubës, me synimin për të kufizuar hyrjen e valutës së huaj dhe furnizimet me naftë në ishullin e Karaibeve.

Presioni është shtuar edhe pas operacionit të autoriteteve amerikane në janar, kur presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u arrestua në Karakas dhe u dërgua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky zhvillim i largoi Kubës një nga aleatët e saj më të rëndësishëm, i cili e kishte mbështetur prej kohësh, veçanërisht përmes furnizimeve me naftë.

Bisedimet mes Havanës dhe Uashingtonit konsiderohen ende në fazat fillestare, ndërsa të dyja palët po vlerësojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për përmirësimin e marrëdhënieve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›