E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Starmer: Lufta me Iranin rrit nevojën për forcimin e lidhjeve BM- Irlandë

LONDËR, 13 mars /ATSH-DPA/- Konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iran kanë rritur nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës – veçanërisht në fushat e sigurisë dhe energjisë, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer.

Deklarata e Starmer erdhi gjatë samitit të dytë Britani e Madhe–Irlandë, gjatë të cilit ai u takua me homologun e tij irlandez, Micheal Martin në Qarkun e Korkut.

Dy liderët theksuan se koordinimi më i madh mes dy vendeve mbetej thelbësor për garantimin e sigurisë ekonomike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë kabllot nënujore dhe përballimin e sulmeve kibernetike.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi në fushat e energjisë dhe tregtisë, ku një interkonektor i ri mes Uellsit dhe Irlandës pritet të furnizojë me energji rreth 570 mijë banesa, ndërsa një projekt tjetër energjetik mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës synon uljen e kostove të energjisë në ishull.

“Evropa duhet të rrisë bashkëpunimin dhe investimet në mbrojtje për t’u përballur me sfidat e një bote gjithnjë e më të pasigurt”, tha Starmer.

“Më shumë se 900 milionë paund investime të reja irlandeze në Britanine e Madhe ishin pjesë e lidhjeve “të lulëzuara” midis Irlandës dhe Britanisë se Madhe”, shtoi ai.

Investimet e reja prej 937 milionë paundësh nga kompanitë në Irlandë pritet të krijojnë rreth 850 vende pune në Londër, Doncaster, Uells Jugor dhe Skoci, dhe të mbulojnë rrjetet e gazit, inteligjencën artificiale (IA) dhe cloud computing, si dhe shërbimet financiare.

Samiti u konsiderua si pjesë e përpjekjeve për një “rifillim” të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e projekteve të përbashkëta deri në vitin 2030. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›