FOKUS – Leyen merr çmimin ”Karli i Madh”: Një Pax Europaea për shekullin XXI

AACHEN (Gjermani), 29 maj /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mori sot çmimin ndërkombëtar ”Karli i Madh” në qytetin gjerman të Aachenit.
”Kryetarja e Komisionit Evropian po nderohet sepse ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e Evropës të bashkuar, elastike dhe të aftë për veprim”, thuhet në një deklaratë nga organi që jep çmimin.
“Evropa është jeta ime. Dhe është nderi më i madh i jetës sime të jem këtu sot, para të gjithëve ju”, deklaroi Der Leyen.
”Çmimi shquhet si simbol i një Evrope të bashkuar. Aacheni ka shumë për të treguar për kulturën dhe historinë tonë. Për bukurinë e jashtëzakonshme të Evropës dhe luftërat tona tragjike. Për rilindjet tona të shumta dhe ringjalljen tonë nga hiri”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalën e saj hapëse pasi mori çmimin e famshëm.
“Prioriteti i parë është të zhvillohet një formë e re e Pax Europaea për shekullin XXI, e formësuar dhe menaxhuar nga vetë Evropa”, theksoi ajo.
“Ne e dimë rolin jetësor të NATO-s dhe partnerëve tanë transatlantikë në mbrojtjen e sigurisë dhe lirisë sonë në kontinentin tonë. Dhe ky rol do të vazhdojë në të ardhmen. Por ndoshta ne besuam se periudhat e paqes relative ishin bërë të përhershme, falë NATO-s. Vendet baltike, Polonia dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore na kishin paralajmëruar”, nënvizoi ajo.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua në bashkinë e Aachenit, një qytet i lashtë në kufirin me Belgjikën dhe Holandën dhe i lidhur me perandorin evropian të shekullit XVIII Karli i Madh.
Folësit përfshinë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe mbretin Felipe VI të Spanjës.
Midis 700 të ftuarve të nderit ishin ish-laureatë, si ish-kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker.
Çmimi ”Karli i Madh” është dhënë nga qytetarët e Aachenit për 75 vjet për shërbime ndaj Evropës dhe unitetit evropian.
Midis laureatëve janë shumë politikanë si ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, kancelarja gjermane, Angela Merkel ose ish-presidenti amerikan, Bill Clinton si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe i ndjeri papa Françesku.
Në vitin 2023, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas u nderuan me këtë çmim.
Çmimi përbëhet nga një certifikatë dhe një medalje ari.
Çmimi mban emrin e Karlit të Madh, perandoria frankiste e të cilit shtrihej në pjesë të mëdha të Evropës në Mesjetën e hershme dhe për këtë arsye nganjëherë ai quhet edhe Ati i Evropës./ a.jor.