FOKUS – Nafta rritet lehtë mes shqetësimeve për ndërprerje të mundshme të eksporteve ruse

LONDËR, 2 tetor /ATSH/ – Çmimet e naftës u rritën lehtë sot pas rënieve gjatë tre ditëve të fundit, pasi shqetësimet për ndërprerje të mundshme të eksporteve të naftës ruse dhanë njëfarë mbështetjeje tregut, megjithëse frika për mbiprodhim vazhdoi të kufizojë fitimet, sipas “Reuters”.
Kontratat e së ardhmes për naftën “Brent” u rritën me 14 cent, ose 0,2%, duke arritur në 65,49 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta amerikane “West Texas Intermediate” (WTI) u rrit po ashtu me 14 cent, ose 0,2%, në 61,92 dollarë për fuçi.
“Ka sërish shqetësime në treg se eksportet ruse të naftës mund të ndërpriten”, tha Giovanni Staunovo, analist mallrash në UBS. “Por për sa kohë që ende nuk ka ndërprerje reale, lëvizjet mbeten të vogla”.
Ministrat e financave të G7 deklaruan dje se do të ndërmarrin hapa për të rritur presionin ndaj Rusisë duke synuar ata që po vazhdojnë të blejnë naftë ruse ose po ndihmojnë në shmangien e sanksioneve.
“Interesi për blerje u shfaq kur WTI iu afrua nivelit të mbështetjes prej 60 dollarësh, ndërsa rreziqet gjeopolitike të shtuar dhe spekulimet për sanksione më të ashpra ndaj naftës ruse dhanë gjithashtu mbështetje”, tha Hiroyuki Kikukawa, strateg kryesor në “Nissan Securities Investment”.
Dy zyrtarë amerikanë konfirmuan se SHBA-ja do t’i ofrojë Ukrainës trajnime për goditje me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke përfshirë rafineritë, tubacionet dhe objektet e tjera me qëllim të uljes së të ardhurave të Kremlinit, sipas një raporti të “Wall Street Journal”.Disa analistë ia atribuojnë rritjen e çmimit një rikthimi teknik, pasi si “Brent” ashtu edhe “WTI” kishin humbur terren një ditë më parë.
Kërkesa për të blokuar naftë nga Kina, importuesja më e madhe e naftës në botë, gjithashtu ndihmoi në stabilizimin e çmimeve, thanë tregtarët.
Megjithatë, frika për një mbyllje të qeverisë amerikane dhe pritshmëritë për rritje të prodhimit nga “OPEC+”,grupi që përfshin “OPEC” dhe aleatët e tij, kufizuan fitimet.
Tre burime të njohura me diskutimet thanë se “OPEC+” mund të bjerë dakord të rrisë prodhimin deri në 500 000 fuçi në ditë në nëntor, trefishi i rritjes së bërë për tetorin, ndërsa Arabia Saudite kërkon të rimarrë pjesën e saj të tregut.
“Shqetësimet për mbiprodhim ndikuan në rëniet e mëparshme këtë javë”, tha Jorge Montepeque, drejtor menaxhues në “Onyx Capital Group”. “Por rikthimi i çmimeve tregon se tregtarët nuk janë plotësisht të bindur se teprica do të jetë aq e madhe sa parashikohet”.
Sipas të dhënave të “Energy Information Administration” (EIA) të SHBA, rezervat e naftës së papërpunuar, benzinës dhe distilateve u rritën javën e kaluar pasi aktiviteti i rafinerive dhe kërkesa u zbutën.
Rezervat e naftës u rritën me 1,8 milion fuçi, duke arritur në 416,5 milion fuçi në javën që përfundoi më 26 shtator, krahasuar me pritjet për një rritje prej vetëm 1 milion fuçi, sipas një ankete të Reuters. /Ad.Ab./