FOKUS – Ndërmjetësuesit diskutojnë armëpushimin afatgjatë Izrael-Gazë

GAZË, 23 prill /ATSH/- Ndërmjetësuesit arabë po punojnë për një propozim për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas – që do të përfshinte një armëpushim pesë deri në shtatë vjet dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura, thanë sot zyrtarët, sipas AP.
“Sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktuan vdekjen e nëntë personave gjatë natës”, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
“Egjipti dhe Katari janë ende duke zhvilluar diskutime për propozimin, i cili do të përfshijë tërheqjen graduale të forcave izraelite nga i gjithë rripi dhe lirimin e të burgosurve palestinezë”, sipas një zyrtari egjiptian dhe një zyrtari të Hamasit, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Izraeli përfundoi një armëpushim me Hamasin muajin e kaluar dhe është zotuar të vazhdojë luftën derisa të kthehen të gjithë pengjet dhe Hamasi ose të shkatërrohet ose çarmatoset dhe të dërgohet në mërgim.
Hamasi tha se do të lirojë dhjetëra pengje që mban ende në këmbim të të burgosurve palestinezë – duke kërkuar një tërheqje të plotë të Izraelit dhe një armëpushim të qëndrueshëm, siç kërkohet në marrëveshjen e arritur në janar.
Një delegacion i Hamasit mbërriti dje në mbrëmje në Kajro për të diskutuar propozimin në zhvillim.
Një armëpushim afatgjatë
Zyrtari egjiptian tha se armëpushimi i propozuar, me garanci ndërkombëtare, do të zgjasë nga pesë deri në shtatë vjet dhe se një komitet teknokratësh politikisht të pavarur do të qeverisnin Gazën – një propozim që Hamasi e ka pranuar.
Zyrtari i Hamasit tha se grupi militant është i hapur për një armëpushim afatgjatë që përfshin tërheqjen e plotë të forcave izraelite dhe garancitë ndërkombëtare, duke përmendur Rusinë, Kinën, Turqinë dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si garantues të mundshëm.
“Turqia, e cila ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Izraelin vitet e fundit, së fundmi iu bashkua negociatave”, tha zyrtari egjiptian.
Nuk ka pasur asnjë deklaratë të menjëhershme nga zyrtarët izraelitë. Por Izraeli ka përjashtuar çdo marrëveshje që do të lejonte Hamasin të ruante ndikimin e tij në Gazë dhe të riarmatosej.
Administrata Trump, e cila gjithashtu ka qenë e përfshirë në bisedimet e armëpushimit, ka thënë se mbështet plotësisht qëndrimin e Izraelit.
Izraeli dhe SHBA-ja i kanë bërë presion Hamasit të pranojë një armëpushim të përkohshëm – në të cilin do të lironte menjëherë disa pengje në këmbim të premtimeve për një armëpushim më të përhershëm.
Hamasi i ka hedhur poshtë këto propozime duke thënë se nuk do të çarmatosej për sa kohë që Izraeli pushtonte territorin palestinez.
Zyrtari i Hamasit tha se grupi nuk i besonte as Netanyahut dhe as SHBA-së pasi ata prishën marrëveshjen ekzistuese të armëpushimit, e cila kishte mundësuar lirimin e mbi 30 pengjeve. //a.i/