Programi “NomadTech” hap thirrjen për aplikime, 7 milionë euro mbështetje për startup-et

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Gjatë ceremonisë së lançimit të programit inovativ “NomadTech”, u shpall zyrtarisht hapja e thirrjes për aplikime për grantet e reja dedikuar startup-eve shqiptare, përmes platformës zyrtare www.nomadtech.al.
Ky program i ri po vendos themelet e një modeli bashkëpunimi në Shqipëri, ku qeveria krijon klimën dhe besimin për zhvillim, ndërsa sektori privat kontribuon financiarisht në përkrahje të inovacionit dhe sipërmarrjes.
Në këtë kuadër, për herë të parë në vend, koorporatat angazhohen drejtpërdrejt në financimin e startup-eve, duke kontribuar me 1 milion euro që i shtohen 6 milionë eurove fonde publike të alokuara për vitin 2024.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e pranishme në ceremoni theksoi rëndësinë e këtij partneriteti si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm inovacioni në Shqipëri.
“Me “NomadTech, po krijojmë një terren të ri për startup-et që kërkojnë të rriten, të inovojnë dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Kjo është një ftesë për gjithë të rinjtë, profesionistët dhe novatorët shqiptarë të ndërtojnë të ardhmen nga këtu, nga Shqipëria,” u shpreh ministrja.
NOMAD TECH është një nismë vizionare e zbatuar nga Organizata LIBURNETIK, me synimin për ta pozicionuar Shqipërinë ndër vendet lider në rajon në fushat e inovacionit, teknologjisë së avancuar, kërkimit, zhvillimit dhe transformimit digjital.
Duke u mbështetur në përvojën e LIBURNETIK dhe një grupi ekspertësh të mirënjohur në fushën e trajnimit të fuqisë punëtore dhe zhvillimit të startup-eve, NOMAD TECH synon të ofrojë mbështetje financiare, mentorim dhe programe për ngritjen e kapaciteteve.
Objektivat kryesore janë fuqizimi i profesionistëve të rinj, përshpejtimi i rritjes ekonomike, krijimi i një ekosistemi për startup-et, dhe mbështetja e nismave që lidhen me rritjen ekonomike, arsimin dhe inovacionin.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së thirrjes ishte edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. /j.p/
1 nga 8/r.e/