GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për revokimin e masës së sigurisë

TIRANË 23 prill /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi sot kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Kërkesa u rrëzua edhe për biznesmenin Elman Abule, i cili është në “arrest shtëpie”.
Sipas medieve në seancën e sotme, GJKKO u njoh me informacionin dymujor dhe veprimet hetimore të kryera nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme, nga ana e saj ka deklaruar se gjatë kësaj kohe janë kryer 114 veprime hetimore që lidhen me dosjen ndaj Veliajt, duke përfshirë kontrollin e celularëve të sekuestruar si dhe marrjen e dëshmisë.
Vetë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa avokati i tij Ermir Beta sipas medieve tha se asnjë nga këto veprime të kryera nuk kanë lidhje me klientin e tij.
Erion Veliaj u arrestua në 10 shkurt dhe dyshohet nga SPAK për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu akuzohet për “futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit”. /j.p/