E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit

OSLO, 30 janar /ATSH-DPA/ – Norvegjia i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër “aktorëve” iranianë, pas vrasjes së protestuesve antiqeveritarë në Iran, njoftoi sot Ministria e Jashtme norvegjeze.

BE-ja e shpalli dje Gardën Revolucionare Islamike të Iranit organizatë terroriste, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave.

Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, mijëra, e ndoshta dhjetëra mijëra persona, besohet se janë vrarë.

Vendimi i BE-së për Gardën Revolucionare pasoi një hap formal për vendosjen e sanksioneve ndaj 31 individëve dhe entiteteve të tjera iraniane.

Ata akuzohen se mbajnë përgjegjësi për represionin brutal të protestave dhe për mbështetjen e vazhdueshme të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se Oslo e ka dënuar dhunën ndaj civilëve, si publikisht ashtu edhe në kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet iraniane.

“Ne kemi theksuar se përdorimi i gjerë i ekzekutimeve, arrestimeve, torturës dhe ndërprerjeve të gjata të internetit si instrumente kontrolli është plotësisht i papranueshëm”, deklaroi Barth Eide.

“Rikonfirmojmë thirrjen tonë ndaj autoriteteve iraniane për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të garantuar qasje të lirë dhe të papenguar në informacion”, shtoi ai.

Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është e lidhur ngushtë me bllokun evropian./   /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›