HAPËSIRË – NASA shtyn misionin “Artemis” për shkak të të ftohtit ekstrem

CAPE CANAVERAL (Florida), 30 janar /ATSH/ – NASA ka shtyrë udhëtimin e radhës të astronautëve drejt Hënës për shkak të temperaturave pranë ngrirjes që priten në vendin e lëshimit, sipas AP.
Misioni i parë “Artemis” me ekuipazh tani synohet të nisë jo më herët se 8 shkurti, dy ditë më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht.
NASA ishte përgatitur të kryente sot një test furnizimi me karburant të raketës hënore 98 metra të lartë, por e anuloi për shkak të të ftohtit të parashikuar.
Prova vendimtare, e njohur si “dress rehearsal”, është planifikuar për të hënën, nëse kushtet e motit e lejojnë.
Ky ndryshim i lë NASA-s vetëm tri ditë gjatë shkurtit për të dërguar katër astronautë rreth Hënës dhe për t’i kthyer sërish në Tokë, përpara se afati të shtyhet për në mars.
“Çdo vonesë shtesë do të sillte një shtyrje ditë për ditë”, njoftoi NASA në një deklaratë.
Zyrtarët thanë se ngrohësit po e mbajnë kapsulën “Orion” të ngrohtë në majë të raketës dhe se sistemet e pastrimit të raketës po përshtaten gjithashtu për kushtet e ftohta.
Komandanti Reid Wiseman dhe ekuipazhi i tij mbeten në karantinë në Hjuston, ndërsa mbërritja e tyre në Qendrën Hapësinore ”Kennedy” në Florida mbetet e pasigurt.
NASA ka vetëm pak ditë çdo muaj për të nisur misionin e saj të parë hënor me ekuipazh pas më shumë se gjysmë shekulli.
Programi legjendar ”Apollo” u mbyll në vitin 1972 me misionin ”Apollo 17”./ /Ad.Ab./ a.jor.