E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia: Vrasja e Khameneit do të hapte kutinë e Pandorës

MOSKË, 20 qershor /ATSH-AA/ – Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ndryshimi i detyruar i regjimit në Iran është i papranueshëm dhe se një vrasje e mundshme e udhëheqësit iranian, ajatollah Ali Khamenei, do të hapte kutinë e Pandorës.

Duke folur për “Sky News” lidhur me konfliktin që filloi me sulmet e Izraelit ndaj Iranit, Peskov tha se nëse Izraeli do të vriste Khamenein me ndihmën e SHBA-së, reagimi i Rusisë do të ishte shumë negativ.

“Ne definitivisht nuk do ta miratonim këtë”, tha ai.

“Ndryshimi i regjimit në Iran është i paimagjinueshëm. Duhet të jetë i papranueshëm, kjo duhet të jetë e papranueshme për këdo që flet për të”, tha Peskov.

Ai nuk bëri asnjë deklaratë në lidhje me hapat që do të ndërmerrte Rusia në rast të vrasjes së Khameneit.

“Kjo do të çojë në shfaqjen e atmosferës ekstremiste brenda Iranit dhe ata që flasin për vrasjen e Khameneit duhet ta kenë parasysh këtë. Ata do të hapin kutinë e Pandorës”, tha ai.

Peskov tha se mundësia e përfshirjes së vendeve të tjera në situatën midis dy vendeve do të krijonte një cikël tjetër konflikti në rajon dhe se kjo do të çonte gjithashtu në një përshkallëzim të tensioneve.

Më 13 qershor, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran si dhe komandën e lartë ushtarake./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›