IZRAEL – Katz njofton sulme të mëtejshme ndaj objektivave shtetërore në Iran

TEL AVIV, 20 qershor /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka udhëzuar ushtrinë të rrisë sulmet e saj në Iran dhe të shënjestrojë gjithnjë e më shumë objektiva të lidhura me qeverinë në Teheran.
“Në këtë mënyrë, regjimi do të destabilizohet”, tha sot Katz.
“Simbolet shtetërore do të sulmohen dhe do të bëhet një evakuim gjithëpërfshirës i popullsisë së Teheranit”, shtoi ai.
Katz njoftoi gjithashtu qëllimin e tij për të vazhduar sulmet ndaj objekteve dhe shkencëtarëve të lidhur me programin bërthamor iranian.
Qëllimi i luftës së shpallur nga Izraeli – është të parandalojë Iranin nga ndërtimi i armëve dhe raketave bërthamore.
Megjithatë, ministri ka lënë të kuptohet vazhdimisht se Izraeli mund të ndjekë qëllime të tjera.
Katz paralajmëroi dje udhëheqësin suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei se “nuk mund të vazhdonte të ekzistonte” pas sulmit me raketa në spitalin izraelit, në Beersheba.
Disa ditë më parë, një sulm ajror izraelit shënjestroi transmetuesin shtetëror iranian IRIB gjatë një programi të drejtpërdrejtë.
Sipas transmetuesit, u raportuan vdekje dhe të plagosur. Ushtria izraelite tha se sulmi kishte shënjestruar një “qendër komunikimi të regjimit iranian”.
Një video e transmetimit gjatë sulmit u shpërnda gjerësisht në media sociale. //a.i/