FOKUS – Rusia i dorëzon Ukrainës memorandumin për armëpushim

STAMBOLL, 2 qershor /ATSH-DPA/ – Sipas kryenegociatorit të Moskës, Vladimir Medinsky, Rusia i ka dorëzuar Ukrainës, nëpërmjet Turqisë, një memorandum dypjesësh mbi një armëpushim dhe përfundimin e luftës.
“Plani është mjaft i detajuar”, theksoi Medinsky.
Pjesa e parë përmban idetë e Moskës për arritjen e paqes së qëndrueshme.
Pjesa e dytë rendit në versione të ndryshme hapat që duhen ndërmarrë për të arritur një armëpushim të plotë.
“Ata po e studiojnë atë dhe do të përgjigjen. Do ta shohim”, tha Medinsky pas bisedimeve, të cilat zgjatën rreth një orë.
Ai nuk dha detaje specifike rreth memorandumit rus.
Pala ukrainase vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim pa kushte për 30 ditë, dhe më pas për të negociuar pa luftuar.
Medinsky konfirmoi gjithashtu planet për një shkëmbim tjetër të të burgosurve, të ngjashëm me atë të majit, në të cilin do të lirohen të paktën 1 000 persona nga secila palë.
Përveç kësaj, do të shkëmbehen 6 000 trupa.
”Për këtë qëllim, do të vendoset një armëpushim i shkurtër prej dy deri në tre ditësh në seksione të ndryshme të vijës së frontit, në mënyrë që të dyja palët të mund të rikuperojnë të rënët e tyre. Kjo tani po përpunohet nga ekspertët tanë ushtarakë dhe ukrainasë”, theksoi Medinsky.
”Rusia ka marrë gjithashtu një listë prej 339 fëmijësh që Ukraina dëshiron t’i kthejë. Rastet tani po rishikohen. Fëmijët dhe prindërit e tyre duhet të ribashkohen”, shtoi ai.
Bisedimet e Stambollit ishin raundi i dytë i negociatave të drejtpërdrejta pasi raundi i parë dështoi në maj.
Negociatat e fundit të tilla të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës u zhvilluan në vitin 2022./ /os/