E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia propozon bisedime me Ukrainën në Stamboll më 2 qershor

MOSKË, 28 maj /ATSH/- Rusia ka propozuar mbajtjen e raundit të ardhshëm të bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll, më 2 qershor – me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme paqësore, tha sot ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas “Reuters”.

Nuk ka patur ende një reagim nga Kievi lidhur me njoftimin e Moskës.

Nën presionin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, delegatët nga vendet ndërluftuese u takuan këtë muaj në Stamboll – për herë të parë që nga marsi 2022.

Bisedimet e 16 majit dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim, siç kërkuan Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë.

Moska tha se duhet të përmbushen disa kushte përpara se një veprim i tillë të ishte i mundur.

“Shpresojmë që të gjithë ata që janë sinqerisht të interesuar, dhe jo vetëm me fjalë, për suksesin e procesit të paqes, do të mbështesin organizimin e një raundi të ri negociatash të drejtpërdrejta ruso-ukrainase në Stamboll”, tha sot Lavrov në një deklaratë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pas një bisede telefonike me Trump më 19 maj, tha se Moska ishte gati të punonte me Ukrainën për një memorandum në lidhje me një marrëveshje paqeje në të ardhmen.

Të mërkurën, Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit të Rusisë në bisedimet e paqes për Ukrainën – shkroi në Telegram se kishte telefonuar ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov për të propozuar datën dhe vendin e takimit të ardhshëm.

“Më lejoni të theksoj: ne jemi gati të fillojmë një diskutim thelbësor dhe substancial për secilën nga pikat e marrëveshjes së paketës për një armëpushim të mundshëm”, tha ai.

Medinsky tha se priste një përgjigje nga Ukraina. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›