E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rutte: Trump shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe i përkushtuar ndaj saj

BRUKSEL, 26 janar /ATSH/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot në Parlamentin Evropian se presidenti amerikan, Donald Trump është shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe shumë i përkushtuar ndaj saj duke sfiduar kështu shqetësimet e shumicës së eurodeputetëve mbi retorikën agresive të presidentit amerikan ndaj Evropës, sipas Euronews.

Ndërsa kërcënimet e Trump për të kontrolluar Groenlandën janë përkufizuar si fundi i NATO-s nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen, Rutte tha se beson se presidenti amerikan meriton të mbrohet dhe po bën shumë gjëra të mira për aleancën e NATO-s.

“Shpenzimet prej 2% të PBB-së nga të gjitha vendet e NATO-s në fund të 2025-ës nuk do të kishin ndodhur kurrë pa Trumpin”, tha Rutte.

“A mendoni vërtet se Spanja, Italia, Belgjika dhe Kanadaja do të vendosnin të kalonin nga 1,5% në 2% pa presidentin Trump? Kurrë! A mendoni vërtet se do të arrinim angazhimin për 5% të shpenzimeve pa presidentin Trump? Kurrë!”, argumentoi ai.

Rutte theksoi se Evropa është thelbësisht e varur nga mbështetja e sigurisë amerikane.

“Nëse dikush këtu mendon se Bashkimi Evropian mund të mbrohet pa SHBA-në, vazhdoni të ëndërroni. Nuk mundeni”, tha ai, duke shtuar se nëse vendet evropiane do të donin të vepronin të pavarura, do të duhej të investonin 10% të PBB-së për të zhvilluar kapacitete bërthamore.

Rutte gjithashtu preku tema të tjera, veçanërisht luftën në Ukrainë.

Ai lavdëroi BE-në për mobilizimin e një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin, por i bëri thirrje Parlamentit që të jetë “i fleksibël” dhe të mos vendosë kushte strikte që paratë të përdoren vetëm për blerjen e armëve të prodhuara në Evropë.

“Evropa tani po ndërton industrinë e saj të mbrojtjes dhe kjo është jetike. Por, aktualisht nuk mund të ofrojë gjithçka që i nevojitet Ukrainës për të mbrojtur veten”, tha Rutte.

“Mbështetja ushtarake amerikane është e domosdoshme. Pa këtë fluks armësh nga Shtetet e Bashkuara, ne nuk mund ta mbajmë Ukrainën në luftë”, theksoi ai gjatë një seance dëgjimore para Komitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Parlamentit Evropian./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›