FOKUS – SHBA-i ofron Riadit një paketë armatimi prej 100 miliardë dollarësh

UASHINGTON, 25 prill /ATSH-ANSA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati t’i ofrojnë Arabisë Saudite një paketë armësh me vlerë mbi 100 miliardë dollarë, raportoi Reuters në faqen e tij të internetit.
Sipas Reuters propozimi pritet të shpallet gjatë vizitës së Donald Trump në mbretëri në muajin maj.
Paketa e ofruar vjen pasi administrata e ish-presidentit Joe Biden u përpoq pa sukses të finalizonte një pakt mbrojtës me Riadin, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për të normalizuar lidhjet midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.
Propozimi i Bidenit ofroi qasje në armatime më të përparuara amerikane në këmbim të bllokimit të blerjeve të armëve kineze dhe kufizimit të investimeve të Pekinit në vend.
Reuters nuk mundi të përcaktojë nëse propozimi i administratës Trump përfshin kërkesa të ngjashme./ /os/