E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA-ja dhe Izraeli i caktojnë Hamasit afat për dorëzimin e armëve

TEL AVIV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë rënë dakord për një afat dymujor për çarmatimin e milicisë islamike palestineze Hamas, tha sot një burim i mirëinformuar për çështjen.

Vendimi u ra dakord nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë bisedimeve të hënën në Florida.

Ekipet e ekspertëve nga të dy vendet po punojnë për të vendosur kritere të qarta, të dakorduara reciprokisht, që përcaktojnë se çfarë do të përbënte çarmatimin praktik të Hamasit”, shkroi gazeta “Israel Hayom” pas takimit.

Sipas raporteve të medias, Hamasi mund të jetë i gatshëm të dorëzojë armë të rënda si raketat, por të mbajë armët e lehta.

Megjithatë, përfaqësuesit izraelitë janë të shqetësuar se Hamasi mund të përpiqet të mbajë shumicën e armëve dhe pajisjeve ushtarake që aktualisht ka në dispozicion.

“Si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja kanë rënë dakord se një skenar i tillë do të ishte i papranueshëm”, shkroi “Israel Hayom”, duke cituar bisedimet e udhëheqësve.

Netanyahu thuhet se ka informuar Trump se Hamasi ende ka rreth 60,000 pushkë sulmi Kalashnikov në dispozicion në Rripin e Gazës.

Gazeta shtoi se ishte rënë dakord që çarmatimi i Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës do të përfshinte edhe shkatërrimin e sistemit të tuneleve nëntokësore.

Nëse kjo dështon, Izraeli do të rifillojë operacionet e tij ushtarake kundër grupit.

“Nëse Hamasi nuk çarmatoset, siç pritet gjerësisht në Izrael, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm do t’i kalojë Izraelit dhe Forcave Mbrojtëse të Izraelit”, shkroi gazeta.

Përveç dorëzimit të armëve nga Hamasi, faza e dytë e planit të paqes së Trump kërkon që Izraeli të tërheqë trupat e tij nga zona bregdetare kryesisht e shkatërruar.

Megjithatë, Hamasi ende po i reziston kërkesave për çarmatimin e tij gjithëpërfshirës.

Konsiderohet jashtëzakonisht e pamundur që forca e planifikuar ndërkombëtare e stabilizimit të marrë përsipër procesin e çarmatimit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›