E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re

KIRITIMAT, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Viti 2026 ka nisur zyrtarisht – pasi rreth 7 300 banorë të Kiritimatit në Paqësorin Jugor – e pritën Vitin e Ri në mesnatë.

Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve, është një atol në Oqeanin Paqësor në Ishujt veriorë Line. Është pjesë e Republikës së Kiribatit. Emri i tij rrjedh nga fjala angleze “Christmas” e shkruar në gjuhën gilberteze.

Atoli me 320 kilometra katrorë sipërfaqe toke dhe laguna, i përket republikës ishullore të Kiribatit, e cila ka disa zona kohore dhe shtrihet përgjatë ekuatorit në mes të Paqësorit Jugor.

Vetëm 15 minuta më vonë, Ishujt Chatham, të cilët i përkasin Zelandës së Re, ishin të radhës që festuan Vitin e Ri.

Ishujt, me një popullsi prej pak më shumë se 700 banorësh, ndodhen rreth 800 kilometra në lindje të Zelandës së Re dhe kanë zonën e tyre kohore.

Në orën 11:00, Zelanda e Re dhe kombet ishullore të Samoas dhe Tongës gjithashtu ndezën fishekzjarrët.

Në Zelandën e Re, monumentet e qytetit më të madh, Auckland, ishin në qendër të shfaqjeve të hollësishme të dritave dhe fishekzjarrëve – më së shumti Kulla e Qiellit – 328 metra e lartë – kulla më e lartë në hemisferën jugore.

Shfaqje dritash dhe muzika shënuan gjithashtu ardhjen e vitit të ri në kryeqytetin Wellington.

Festimet në plazhin Bondi në Sidnej u anuluan

Në orën 13:00, është radha e Sidnejit. Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë do të hidhen në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi dy javë më parë, festimet në plazhin e famshëm janë anuluar.

Samoa Amerikane, e vendosur vetëm 220 kilometra në lindje të Samoas në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datave, do të jetë vendi i fundit i banuar në Tokë që do të mirëpresë Vitin e Ri. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›