FOKUS – SHBA përshëndet rolin në rritje të Evropës në ndarjen e barrës së mbrojtjes në NATO

BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur kënaqësinë për përpjekjet e vendeve evropiane në ndarjen e barrës së mbrojtjes brenda NATO-s.
Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes deklaroi sot gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të aleancës, se është vënë re një ndryshim i qartë në qasjen e aleatëve evropianë.
Sipas Colby-t, në vitin 2025 ka ndodhur një “riformatim”, ku aleatët evropianë janë angazhuar të marrin drejtimin në mbrojtjen konvencionale. Ai theksoi se tashmë ekziston një “bazë vërtet e fortë për të punuar së bashku në partneritet”, duke e cilësuar këtë si një rikthim te qëllimi fillestar i NATO-s.
Colby udhëtoi drejt Brukselit në emër të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu kënaqësinë e tij gjatë takimit, duke iu referuar veçanërisht planeve të qeverisë gjermane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në afro 153 miliardë euro deri në vitin 2029, gati trefishi i nivelit të vitit 2021.
Rutte theksoi se, duke qenë se SHBA-ja do të përqendrohet më shumë në rajonin e Paqësorit në të ardhmen, Evropa dhe Kanadaja duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.
Brenda NATO-s, këto zhvillime kanë rritur shpresat se mosmarrëveshjet e mëparshme për ndarjen e barrës mund t’i përkasin së kaluarës. Çështja kishte shtyrë më parë presidentin amerikan Donald Trump të kërcënonte herë pas here me tërheqjen e SHBA-së nga aleanca. Duke qenë se parandalimi i NATO-s mbështetet kryesisht në kapacitetet ushtarake të Uashingtonit, një tërheqje amerikane do të rrezikonte ekzistencën e saj.
Takimi i ministrave të Mbrojtjes zhvillohet gjithashtu pasi NATO njoftoi rritjen e pranisë së saj në Arktik dhe zonat përreth, pas një mosmarrëveshjeje mbi Groenlandën që krijoi tensione mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë. Trump kishte kërcënuar në disa raste me aneksimin e ishullit nën administrim danez, duke argumentuar se përndryshe Rusia ose Kina mund ta merrnin nën kontroll.
Sa i përket Ukrainës, ministrat e NATO-s u bashkuan për herë të parë me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, që nga marrja e detyrës në janar.
Në përfundim të takimit zyrtar të NATO-s, Gjermania dhe Britania e Madhe do të bashkëkryesojnë një takim të aleatëve më të afërt të Ukrainës, me synimin për të siguruar zotime të reja për mbështetje ushtarake. /Ad.Ab./ a.jor.