E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA sekuestron cisterna nafte të lidhura me Venezuelën në Atlantikun e Veriut dhe Karaibe

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-DPA/- Ushtria amerikane tha sot se kishte sekuestruar dy cisterna nafte të lidhura me Venezuelën në Atlantikun e Veriut dhe Karaibe, në një veprim që rrit tensionet pas operacionit të SHBA-së për të rrëzuar udhëheqësin venezuelian, Nicolás Maduro.

Komanda Evropiane e SHBA-së njoftoi fillimisht se anija cisternë me flamurin rus “Bella 1” ishte sekuestruar pranë Islandës me urdhër të një gjykate federale për shkelje të sanksioneve të SHBA-së.

Pak kohë më vonë, Komanda Jugore e SHBA-së tha se Roja Bregdetare kishte marrë kontrollin e anijes cisternë “Sophia”, pa shtetësi, në Karaibe.

Komanda akuzoi operatorët e anijes për kryerje të aktiviteteve të paligjshme që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Hemisferës Perëndimore.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, Kristi Noem i lidhi të dyja anijet me Venezuelën, duke shkruar se ato ose ishin ankoruar për herë të fundit në Venezuelë ose ishin në rrugën drejt saj”.

“Bella 1″ ishte përpjekur t’i shmangej Rojës Bregdetare për javë të tëra”, tha Noem në një postim në X, duke shtuar se anija kishte ndryshuar flamurin e saj, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të dështuar për t’i shpëtuar drejtësisë”.

Operacionet e sotme u koordinuan me Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr Rojën Bregdetare.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte urdhëruar një bllokadë detare të cisternave të naftës të sanksionuara që shkonin në Venezuelë ose largoheshin nga portet në vendin e pasur me burime, përpara një operacioni ushtarak amerikan fundjavën e kaluar – që çoi në arrestimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.

Uashingtoni akuzon anijet se veprojnë si pjesë e një flote të ashtuquajtur “fantazmë” ose “hije” që përdoret për të transportuar naftë të paligjshme.

Aleatët perëndimorë thonë se Rusia është mbështetur në cisterna të tilla për të anashkaluar sanksionet përmes metodave klandestine. Moska ka qenë një aleat kyç i qeverisë së Maduros. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›