MOSKË – Rusia kërkon kthimin e marinarëve të anijes cisternë të sekuestruar nga SHBA-ja

MOSKË, 7 janar /ATSH-DPA/- Ministria e Jashtme ruse ka kërkuar kthimin në shtëpi të marinarëve të anijes cisternë të naftës me flamur rus – të sekuestruar nga forcat amerikane në Atlantikun e Veriut.
“Ministria tha sot se po monitoronte nga afër situatën”, sipas agjencive ruse të lajmeve.
“Ne kërkojmë që pala amerikane të sigurojë trajtimin e tyre njerëzor dhe dinjitoz, të mbrojë në mënyrë strikte të drejtat dhe interesat e tyre dhe të mos pengojë kthimin e tyre në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.
Ministria ruse e Transportit gjithashtu kritikoi veprimin e SHBA-së, duke cituar Konventën e OKB-së të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit.
Sipas kësaj, asnjë shtet nuk ka të drejtë të pengojë kalimin e lirë të anijeve të regjistruara, në ujërat ndërkombëtare.
“Anija cisternë kishte marrë leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin rus më 24 dhjetor”, tha ministria duke shtuar se leja ishte dhënë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ushtria amerikane tha se kishte sekuestruar anijen cisternë “Bella” 1 në brigjet e Skocisë në Atlantikun e Veriut për shkelje të sanksioneve të SHBA-së, bazuar në një urdhër gjykate.
Uashingtoni akuzon anijet se po veprojnë si pjesë e “flotës hije” që përdoret për të transportuar naftë të paligjshme.
Aleatët perëndimorë thonë se Rusia është mbështetur në cisterna të tilla për të anashkaluar sanksionet. Moska ka qenë një aleat kyç i qeverisë Maduro. //a.i/