FOKUS – Seuli: 600 ushtarë të Phenianit të vrarë deri tani në Ukrainë

SEUL, 30 prill /ATSH-ANSA/ – Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë duke luftuar përkrah forcave ruse në luftën kundër Ukrainës, theksoi një ligjvënës dhe ekspert i inteligjencës së Koresë së Jugut.
“Humbjet e trupave të Koresë së Veriut deri më tani vlerësohen në rreth 4 700, përfshirë rreth 600 vdekje”, u tha gazetarëve përfaqësuesi Lee Seong-kweun, anëtar i komitetit parlamentar të inteligjencës, pas një takimi informues me zyrtarët ushtarakë në Seul.
”Midis janarit dhe marsit, rreth 2 000 ushtarë të plagosur u riatdhesuan në Korenë e Veriut me aeroplan dhe tren dhe besohet se janë në izolim në Phenian dhe pjesë të tjera të vendit”, tha Lee.
”Sa i përket të vdekurve, trupat e tyre u dogjën në Rusi dhe hiri i tyre u riatdhesua në Korenë e Veriut”, tha ligjvënësi i Seulit.
Koreja e Veriut mbështeti rimarrjen e Kurskut nga Rusia duke vendosur 18 000 trupa në dy faza.
“Që nga marsi, kur Kursku u rimori në mënyrë efektive, numri i përleshjeve është zvogëluar”, shpjegoi ligjvënësi i Koresë së Jugut.
Sipas tij, “mundësia e një faze të tretë nuk mund të përjashtohet plotësisht”, edhe pse Pheniani ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal që sugjeron se do të dërgojë trupa të reja në Rusi./ /os/