E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Si e fitoi kandidatja anti-establishment presidencën e Irlandës

DUBLIN, 26 tetor /ATSH/ – Politikania e pavarur e krahut të majtë, Catherine Connolly, është zgjedhur presidente e 10-të e Irlandës pas një fitoreje të thellë ndaj rivalës së saj, Heather Humphreys, sipas BBC.

Si politikane me përvojë dhe performuese politike, Connolly është anëtare e parlamentit) që nga viti 2016 për zonën zgjedhore Galway West dhe ka shërbyer gjithashtu si nënkryetare e Dail (parlamenti irlandez).

Connolly kishte mbështetjen e partive kryesore të majta opozitare në Irlandë, përfshirë Sinn Fein, Partinë Laburiste dhe Socialdemokrate.

Makineria e fushatës

E parë si një kandidate anti-establishment, në javët e fundit 68-vjeçarja filloi të insistojë se fushata e saj ishte një “lëvizje”. Ajo e synonte presidencën prej disa vitesh dhe ishte kandidatja e parë që njoftoi se do të kandidonte për postin  që në korrik.

Për t’u futur në votim, një kandidat duhet të ketë mbështetjen e 20 anëtarëve të parlamentit ose mbështetjen e katër këshillave qytetase ose bashkiake.

Ajo tashmë kishte më shumë se 20  firmat e nevojshme nga parlamentarët, edhe pa mbështetjen e partisë kryesore opozitare Sinn Fein, e cila ju bashkua  në mes të fushatës.

Ajo kishte vetëm dy konkurrentë,  Heather Humphreys e “Fine Gael” dhe Jim Gavin i “Fianna Fail”, kandidatë të dy partive kryesore në qeveri.

Ekipi i Catherine Connolly-s drejtoi një fushatë të suksesshme në rrjetet sociale

Gavin u tërhoq nga fushata më herët këtë muaj, por mbeti në votim duke marrë në fund 7,2% të votave.

Stili i saj i qetë në debate dhe fushata e mirëorganizuar në rrjetet sociale morën shumë vlerësime dhe tërhoqën vëmendjen, sidomos të votuesve të rinj.

Ajo pati një moment viral me një video në rrjetet sociale ku bënte “keepie uppies” me një top futbolli dhe sfidonte të rinjtë në fushën e basketbollit. Aftësitë e saj atletike u panë nga qindra mijëra njerëz online.

Rivalja kryesore Humphreys nuk arriti të krijonte të njëjtën vëmendje pozitive.

Momente sfiduese

Pikat më të mëdha të kritikës ndaj Connolly gjatë fushatës lidhen me qëndrimet e saj për politikën e jashtme dhe konfliktin Izrael-Hamas. Connolly është mbështetëse e hapur e Palestinës dhe shpesh flet për “gjenocidin” në Gaza dhe kritikon “masakrat” e kryera nga Izraeli.

Irlanda shihet ndërkombëtarisht si një nga vendet më pro-palestineze në Evropë dhe ministrat irlandezë shpesh kritikohen si antisemitë nga politikanët izraelitë.

Ajo shkaktoi debat kur tha për “BBC News NI” gjatë fushatës se Hamas është “pjesë e strukturës së popullit palestinez”.

Connolly ka qenë gjithashtu kritike ndaj NATO-s dhe Fine Gael e akuzoi gjatë fushatës se nuk ishte mjaftueshëm kritike ndaj Rusisë.

Si do të ndryshojë presidenca e saj nga ajo e Higgins?

Roli i kreut të shtetit në Irlandë është kryesisht ceremonial dhe jo ekzekutiv. Presidenti dhe qeveria janë të ndara dhe nuk kanë ndikim mbi politikat qeveritare.

Presidenti aktual, Michael D. Higgins, gjatë 14-vjeçarit të tij në detyrë, shpesh ka irrituar në mënyrë private ministrat irlandezë me kritikat e perceptuara ndaj politikës qeveritare. Ai ka qenë i hapur mbi krizën e banesave dhe mbështet Palestinën.

Connolly dhe Higgins kanë një histori të përbashkët. Edhe pse Connolly më parë ka shërbyer si këshilltare e Partisë Labouriste, ajo la partinë pasi nuk u zgjodh si kandidate e bashkuar me Higgins.

Kryetarja e Sinn Féin dhe liderja e opozitës, Mary Lou McDonald, tha për “BBC NI” se besonte se Connolly do ta bëjë këtë rol të sajin.

“Catherine sjell veten autentike në këtë rol dhe nuk jam e bindur se ka ndonjëherë një Uachtarain [president] që thjesht e riprodhon një të mëparshëm”, tha ajo.

Edhe pse është mbështetëse e Palestinës dhe ka kritikuar më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe  për rolin e tyre në konflikt, Connolly tha në një debat televiziv javën e kaluar se nuk do të refuzonte të takonte figura si presidenti amerikan Donald Trump.

“Nëse është thjesht një takim i përshëndetjes, atëherë do të takohem. Nëse diskutohet gjenocidi, atëherë është një gjë krejt tjetër. Por dyshoj se kjo do të jetë tema e diskutimit me presidentin,” tha ajo.  

Cila është marrëdhënia e saj me Irlandën e Veriut?

Connolly ka synuar të pozicionohet si kandidate për një Irlandë të Bashkuar dhe tha se do të dëshironte ta shihte këtë gjatë presidencës së saj, e cila zgjat shtatë vjet.

Ajo udhëtoi në Irlandën e Veriut gjatë fushatës dhe mbështetja e saj për një Irlandë të Bashkuar besohet se është një nga arsyet pse mori mbështetje nga Sinn Fein.

Lou McDonald tha se Connolly e kupton se “përgatitja” për një Irlandë të Bashkuar duhet të fillojë tani dhe ajo do të përdorë “fuqinë e butë”.

“Ky është një moment emocionues,” shtoi ai  “Ajo është gruaja e duhur në vendin e duhur në kohën e duhur”.

Cilat do të jenë prioritetet e saj?

Gjatë fushatës, Connolly premtoi të kthejë një pjesë të pagës së saj presidenciale që është rreth 350,000 €  (£305,000 pound).

Connolly tha se do të kthejë një pjesë “të konsiderueshme” të pagës për projekte.

Pas fitores, ajo premtoi, në Kështjellën e Dublinit  të jetë një presidente “përfshirëse”  për të gjithë, duke deklaruar se populli irlandez mund të “formojë një Republikë të re”.

“Do të jem një presidente që dëgjon dhe reflekton dhe flet kur është e nevojshme”, tha Connolly.

“Do të jem një zë për paqen, një zë që mbështet neutralitetin tonë, një zë që artikulon kërcënimin ekzistencial të ndryshimeve klimatike dhe një zë që njeh punën e jashtëzakonshme që bëhet në të gjithë vendin”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›