E Hënë, 2 Nëntor 2026

UKRAINË – Tre të vrarë, 32 të plagosur nga sulmet ruse në Kiev

KIEV,  26 tetor /ATSH/ – Tre persona humbën jetën dhe të paktën 32 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror rus mbi Kievin gjatë natës, njoftuan autoritetet ukrainase, sipas BBC.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se dy pallate të larta u goditën nga dronët dhe raketat ruse, ndërsa mes të plagosurve ka edhe gjashtë fëmijë.

Sipas autoriteteve, një dron goditi një ndërtesë 9-katëshe në distriktin Desnianskyi, duke shkaktuar shumicën e viktimave. Të paktën tre godina të tjera banimi pësuan dëme, ndërsa disa të plagosur, përfshirë fëmijë, po marrin trajtim në spital.

Sulmi vjen në një kohë kur Moska ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave civile, ndërsa Ukraina deklaron se gati 1 200 dronë rusë janë lëshuar vetëm gjatë javës së fundit.

Në Uashington dhe Bruksel janë vendosur sanksione të reja ndaj industrisë së naftës në Rusi, ndërsa përpjekjet diplomatike për armëpushim vazhdojnë.

Liderët amerikanë dhe evropianë shpresojnë se presioni ekonomik mund të shtyjë Moskën drejt bisedimeve, por qëndrimet e palëve mbeten ende larg një marrëveshjeje. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›