FOKUS – Trump paralajmëron Netanyahun: Nëse rifillon luftën me Iranin, mund të mbetesh i vetëm

UASHINGTON, 8 qershor /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot në një intervistë për “Axios”, se i kishte bërë të ditur kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se, nëse ai do të rifillonte luftën me Iranin, mund të përballej i vetëm në këtë konflikt, pa një mbështetje.
“Unë i thashë, Bibi, duhet të jesh i kujdesshëm, përndryshe shumë shpejt do të gjendesh i vetëm”, tha Trump duke iu referuar bisedës me Netanyahun.
Deklarata e Trump vjen në një moment të brishtë për stabilitetin në Lindjen e Mesme, ku armëpushimi është vënë në pikëpyetje, pas sulmeve ajrore të Izraelit në Bejrut dhe lëshimit të një seri raketash nga Irani.
Uashingtoni po përballet me një presion në rritje, për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, ndërsa diplomacia rajonale mbetet e tensionuar dhe rreziku i përhapjes së luftimeve në disa fronte është në rritje. //a.i/