E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Universitete të ndryshme ndërpresin lidhjet me Izraelin, shkak lufta në Gaza

LONDER, 13 shtator /ATSH/ – Një numër gjithnjë e më i madh universitetesh, institucionesh akademike dhe organizatash shkencore në mbarë botën po ndërpresin lidhjet me akademinë izraelite, për shkak të pretendimeve se ajo është e përfshirë në veprimet e qeverisë izraelite ndaj palestinezëve, sipas “The Guardian”.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 63 000 persona janë vrarë në këtë territor, shumica civilë, ndërsa numri i vërtetë pritet të jetë shumë më i lartë.

Ekspertë të mbështetur nga OKB-ja kanë konfirmuar se pjesë të Gazës, shumë prej të cilave janë shkatërruar plotësisht, po përballen me një “uri të krijuar nga njeriu”.

Si reagim, një numër gjithnjë e më i madh institucioneve akademike po distancohen nga institucionet izraelite.

Vitin e kaluar, “Federal University of Ceara” në Brazil anulloi një samit inovacioni me një universitet izraelit, ndërsa shumë universitete në Norvegji, Belgjikë dhe Spanjë ndërprenë lidhjet me institucionet izraelite. Të tjera, përfshirë “Trinity College Dublin”, ndoqën të njëjtin shembull këtë verë.

“Universiteti i Amsterdamit” ka ndërprerë një program shkëmbimi studentësh me “Universitetin Hebraik të Jerusalemit”, ndërsa “Shoqata Evropiane e Antropologëve Socialë” ka shpallur se nuk do të bashkëpunojë me institucionet akademike izraelite dhe ka inkurajuar anëtarët e saj të ndjekin të njëjtin shembull.

Edhe pse jo të gjithë ata që ndërmarrin veprime mbështesin një bojkot të përgjithshëm akademik, kjo lëvizje reflekton shqetësime mbi lidhjet brenda Izraelit mes akademisë, ushtrisë dhe qeverisë.

Stephanie Adam nga “Palestinian Campaign for the Academic and Cultural Boycott of Israel” tha se institucionet akademike izraelite janë bashkëfajtorë në “regjimin gati pesëdhjetëvjeçar të okupimit ushtarak, apartheidit kolonial të vendosësve dhe tani gjenocidit” dhe shtoi se ka “detyrim moral dhe ligjor për universitetet që të ndërpresin lidhjet me universitetet izraelite bashkëfajtore”.

Megjithatë, pak institucione në Britani, Francë dhe Gjermani kanë njoftuar ndërprerjen e lidhjeve me akademinë izraelite, ndërsa “Universities UK” (UUK) tha se nuk mbështet bojkotin akademik.

“Si një organ përfaqësues, ‘Universities UK’ ka një qëndrim publik të gjatë për angazhimin në shkëmbimin e lirë të ideve, pavarësisht nga kombësia apo vendndodhja. Si i tillë, ne nuk mbështesim bojkotet e përgjithshme akademike, pasi kjo do të përbënte një shkelje të lirisë akademike”, tha një zëdhënës i UUK-së.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›