E Hënë, 2 Nëntor 2026

LONDËR – Mijëra njerëz në tubimin e Tommy Robinson

LONDËR, 13 shtator /ATSH-DPA/ – Mijëra njerëz janë mbledhur në Londër për një tubim të organizuar nga aktivisti britanik i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.

Ngjarja “Unite the Kingdom” po zhvillohet në “Whitehall”, por turma të mëdha janë mbledhur që nga mëngjesi pranë stacionit “Waterloo” duke mbajtur dhe valvitur flamujt e “Unitetit” dhe kryqin e “Shën Gjergjit”.

Në të njëjtën kohë, një protestë kundër, e quajtur “March Against Fascism” dhe organizuar nga “Stand Up To Racism” (SUTR), pritet të zhvillohet sot pasdite në qytet.

Rreth 1 000 oficerë do të angazhohen në Londër për të parandaluar përplasjet mes protestuesve me pikëpamje të kundërta.

“Metropolitan Police” ka këshilluar qytetarët myslimanë të Londrës të vazhdojnë jetën normale dhe të mos ndryshojnë planet e tyre për shkak të shqetësimeve të mundshme nga ngjarja e ekstremit të djathtë.

“I kuptojmë shqetësimet e veçanta për shumë anëtarë të komuniteteve myslimane në Londër para protestës ‘Unite the Kingdom’, për shkak të historikut të retorikës anti-Myslimane dhe incidenteve me këndime fyese nga një pakicë në marshimet e mëparshme”, tha Clair Haynes, e cila udhëheq operacionin e ruajtjes së rendit publik këtë fundjavë.

Marshimi dhe tubimi “Unite the Kingdom”, i organizuar nga Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, filloi në “Stamford Street” pranë “Waterloo Bridge”, me turmën që u rrit në numër në mesditë.

Tubimi “Unite the Kingdom” është përshkruar nga Robinson si “festivali më i madh i lirisë së fjalës në Britaninë e Madhe” dhe do të dëgjojë folës si ish-strategu i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Bannon, dhe prezantuesja Katie Hopkins. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›