E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS- Rusia pranon rënie të prodhimit të naftës pas sulmeve me dronë të Ukrainës

SHËN PETERBURG, 4 qershor /ATSH-DPA/ – Qeveria ruse ka pranuar një rënie të prodhimit të naftës pas sulmeve me dronë të Ukrainës ndaj objekteve të industrisë së naftës në vend.

“Prodhimi aktualisht është disi më i ulët se në fillim të vitit”, deklaroi sot zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (SPIEF).

“Kjo ndodh sepse disa prej objekteve tona të prodhimit të naftës po i nënshtrohen riparimeve të paplanifikuara”, tha ai, pa specifikuar shkakun e ndërprerjeve.

Ukraina ka goditur në mënyrë të përsëritur infrastrukturën energjetike të Rusisë. Sulmet me dronë synojnë të reduktojnë të ardhurat e Moskës nga eksportet e naftës dhe të dobësojnë financimin e ekonomisë së saj të luftës.

Ekspertët vlerësojnë se zyrtarët rusë e kanë minimizuar ndikimin e përgjithshëm të këtyre sulmeve, megjithëse vendi vazhdon të përfitojë nga çmimet relativisht të larta të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Novak tha se infrastruktura që nuk është dëmtuar po përdoret me kapacitet maksimal dhe se kompanitë po punojnë për ta rikthyer prodhimin në nivelet e mëparshme.

Ai shtoi se Rusia mbetet e përkushtuar për të përmbushur objektivat e saj të prodhimit në kuadër të marrëveshjes së OPEC+ deri në fund të vitit.

Në prill, prodhimi arriti në rreth 9 milionë fuçi në ditë, ose 107 mijë fuçi më pak se në mars dhe 580 mijë fuçi nën kuotën e përcaktuar.

Duke folur për rritjen e çmimeve të karburanteve, që ka shkaktuar shqetësim publik, Novak tha se situata mbetet nën kontroll dhe se çmimet në shumicën e pikave të karburantit janë përgjithësisht në përputhje me normën e inflacionit.

Megjithatë, mediet ruse kanë raportuar raste kur rritja e çmimeve ka tejkaluar 10%. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›