FOTO/ Po i arratiseshin policisë, aksidentohen rëndë tre shqiptarë në Gjermani

Tre shqiptarë u aksidentuan rëndë në Olsberg të Gjermanisë, pasi makina me të cilën po tentonin t’i shpëtonin policisë, u përplas me një dyqan.

Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme 1 dhjetor 2025, kur një patrullë policie vuri re automjetin, që rriti shpejtësinë menjëherë, sapo pa uniformat blu, njoftojnë mediat gjermane.
Oficerët nisën ndjekjen, por e humbën makinën nga pamja e tyre, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë. Vetëm pak minuta më vonë, rreth një kilometër e gjysmë larg, automjeti u gjet i aksidentuar rëndë.
Sipas të dhënave, mjeti ka dalë nga rruga gjatë një kthese majtas, duke u përplasur fillimisht me vitrinën e dyqanit të veshjeve të nusërisë. Nga forca e goditjes, makina u përplas dhe më pas u kthye përmbys.
Në gjendje më të rëndë paraqitet pasagjeri që ishte në pjesën përpara të mjetit, i cili është në gjendje kritike, me fraktura të shumta në shtyllën kurrizore dhe në shpatulla.
Edhe dy personat e tjerë janë dërguar në spital me plagë të shumta.
Deri tani nuk bëhen të ditur emrat e të plagosurve.
