E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTOT- Policia e Kuçovës surprizon familjet në nevojë, shpërndahen pako ushqimore për fundvit

Në prag të ndërrimit të viteve, efektivët e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë dëshmuar se misioni i tyre shkon përtej ruajtjes së rendit dhe sigurisë.

Mes angazhimit të shtuar për mbarëvajtjen e festave, uniformat blu kanë gjetur kohën për të trokitur në dyert e familjeve në nevojë, duke u dërguar pako me ushqime.

“Nisma e ndërmarrë nga shërbimet e këtij komisariati kishte për qëllim t’u gjendej pranë shtresave më të prekura të shoqërisë në këto ditë festive, duke synuar forcimin e solidaritetit dhe të lidhjes mes policisë dhe komunitetit.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas njoftimit zyrtar të Komisariatit, ky gjest simbolik përçon një mesazh të qartë: Policia është pjesë integrale e komunitetit.

“Ky gjest synon të përcjellë mesazhin se Policia ndan me komunitetin jo vetëm përgjegjësitë, por edhe humanizmin, kujdesin dhe mbështetjen në momente të rëndësishme,” thuhet në reagimin e policisë lokale.

Drejtuesit e Komisariatit të Kuçovës siguruan qytetarët se shërbimet e tyre do të vijojnë të jenë në krye të detyrës, duke ofruar shërbim me përgjegjësi, integritet dhe përkushtim, si për sigurinë ashtu edhe për mbështetjen sociale të banorëve.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›